Veliaj: Tirana kozmopolitane mikpret 3000 nomadë digjitalë
2024-11-22 11:06:34

Foto nga ATSH

Në Tiranë po zhvillohet edicioni i dytë i Festivalit Digjital Nomad. Ky aktivitet bën bashkë nomadët digjitalë në mbarë botën, profesionistët, sipërmarrësit, novatorët dhe të gjithë të rinjtë që aktualisht eksplorojnë botën e punës në distancë ose ëndërrojnë për një punë të tillë, shkruan “ATSH”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ndihet krenar që festivale të tilla zhvillohen në Tiranën që po bëhet gjithnjë e më gjithëpërfshirëse.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që në edicionin e dytë, Festivali i Nomadëve Digjitalë në Tiranë po zhvillohet si një trend i jashtëzakonshëm që ka përfshirë sot gjithë Europën, sidomos pas Covid-it, ku shumë prej punëve mund të bëhen në distancë. Sot Tirana është numri një në Ballkan, me 3000 nomadë digjitalë, me njerëz profesionistë që kanë dije, jo thjesht njerëz që bëjnë punë manuale, por njerëz që bëjnë punët e së ardhme”,- u shpreh Veliaj.

Të pranishmit në këtë festival eksploruan të ardhmen e punës, teknologjisë dhe lidhjeve globale me folës dinamikë dhe sesione me histori suksesi frymëzuese.