Rrjeti 5G i Kinës, më i madhi në botë
2024-11-22 14:42:50


Foto nga VCG

Të enjten, organizatorët e Samitit të Wuzhen-it të Konferencës Botërore të Internetit 2024 zhvilluan një konferencë për shtypin, gjatë së cilës publikuan dy libra blu, përkatësisht "Raporti i zhvillimit të internetit në Kinë 2024" dhe "Raporti i zhvillimit të internetit në botë 2024".

Që nga viti 2017, këta libra blu janë publikuar globalisht për tetë vjet rresht, duke analizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse prirjet e zhvillimit të internetit në Kinë e në botë dhe duke ofruar referencë ideore e mbështetje intelektuale për zhvillimin dhe qeverisjen globale të internetit.

"Raporti i zhvillimit të internetit në Kinë 2024" tregon se Kina është kthyer në tregun më të madh të internetit në botë, ka numrin më të madh të përdoruesve të internetit  e të përdoruesve të internetit celular në botë dhe ka ndërtuar infrastrukturën e rrjetit më të madh e më të përparuar nga ana teknologjike në botë.

Shkalla e rrjetit 5G të Kinës është më e madhja në botë. Do të shpejtohet promovimi  në shkallë të gjerë në fusha kyçe si industria, minierat, elektriciteti dhe mjekësia. Teknologjia kyçe 6G ka arritur përparime dhe Kina ka ndërtuar me sukses për herë të parë në botë rrjetin e testimit në terren 6G që integron komunikimin dhe inteligjencën.

Gjatë vitit të fundit, përmasa e ekonomisë digjitale të Kinës ka vazhduar të rritet. Në vitin 2023, vlera e shtuar e industrive kryesore të ekonomisë digjitale të Kinës ishte 12 trilionë juanë, duke zënë afërsisht 10 % të GDP-së.

Nga viti 2018 deri më 2023, shkalla e tregtisë elektronike ndërkufitare të Kinës u rrit nga afërsisht 1 trilion juanë në rreth 2.4 trilionë juanë.

Sipas raportit, industria e kulturës digjitale e Kinës po lulëzon, me shfaqjen e produkteve me cilësi të lartë, si mikrodramat, letërsia në internet, lojëra digjitale dhe animacioni digjital. Teknologjitë dhe aplikimet e reja fuqizojnë inovacionin kulturor digjital dhe ndihmojnë në zhvillimin e tregut jashtë Kinës.

Foto nga VCG

Deri në dhjetorin e vjetshëm, tregu audioviziv në internet i Kinës, duke përfshirë videot e gjata, videot e shkurtra, transmetimet e drejtpërdrejta, audiot etj., kishte një vlerë prej 1.152481 trilionë juanësh. Të ardhurat reale nga shitjet në tregun vendas të lojërave ishin 302.964 miliardë juanë, vlera e letërsisë kineze në internet në tregjet jashtë vendit i kaloi 4 miliardë juanët dhe numri i vizitave të përdoruesve të internetit nga jashtë Kinës arriti në 230 milionë.

Sipas “Raportit të zhvillimit të internetit në botë 2024”, vendet e ndryshme të botës po zhvillojnë ndërtimin e inflastrukturës së informacionit, duke hyrë në fazën e re të ngritjes së nivelit.

Zhvillimi i teknologjisë digjitale ka hyrë në periudhën e zhvillimit të shpejtë. Niveli i zhvillimit të internetit në ShBA e në Kinë ende renditet në vendet e para në botë.

Në raport theksohet që gjatë vitit të fundit teknologjia digjitale globale vazhdon të rinovohet dhe fusha e teknologjisë së inteligjencës artificiale po tregon gjallëri inovative e aftësi konkurruese si kurrë më parë. Kina dhe ShBA-ja vazhdojnë të kryesojnë në inteligjencën artificiale. ShBA-ja ruan udhëheqjen në zhvillimin, investimet dhe aplikimin komercial të modeleve të mëdha të inteligjencës artificiale, ndërsa Kina tregon epërsi në potencialin e inovacionit të inteligjencës artificiale dhe madhësinë e tregut. Inteligjenca artificiale është bërë fokusi i dizajnit të nivelit të lartë dhe paraqitjes strategjike në vendet dhe rajonet kryesore në botë.

Qeverisja e inteligjencës artificiale lidhet ngushtë me fatin e njerëzimit. Vendet e ndryshme e vënë theksin në zbatimin e koncepteve bazë të zhvillimit të inteligjencës artificiale, si respektimi i të drejtave të njeriut të përdoruesve e ruajtja e barazisë mes vendeve, dhe i kushtojnë rëndësi bashkëpunimit ndërkombëtar, duke bërë përpjekje të ndërtojnë një mekanizëm qeverisjeje të koordinuar ndërkombëtarisht që mbulon të gjithë ciklin jetësor të inteligjencës artificiale.

Li Wei, studiuesi i Institutit të Informatikës pranë Akademisë së Hapësirës Kibernetike të Kinës, theksoi se Kina kanë marrë pjesë aktivisht në diskutimet për etikën e inteligjencës artificiale dhe hartimin e standardeve teknike në UNESCO, Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Organizatën Ndërkombëtare për Standardizimin etj., duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar mbi krijimin e kapaciteteve të interigjencës artificiale prej OKB-së. (Çang Çuo)