Maqedonasja Radmilla Shekerinska emërohet zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s
2024-11-21 15:44:47

Radmilla Shekerinska (Foto ATSH)

Radmilla Shekerinska (Foto ATSH)

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.

“Kam kënaqësinë të njoftoj emërimin e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”,- deklaroi shefi i NATO-s, Mark Rutte, shkruan “ATSH”.

Shekerinska do ta marrë zyrtarisht detyrën në fund të këtij viti.

Ajo ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Europian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, edhe gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s më 2020.

Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë post përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mircea Geoana, njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.

Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën në kushte anonimati, se ekzistonte një dëshirë e fortë që këtë pozitë ta merrte dikush nga Europa Qendrore dhe Lindore dhe ajo t’i takonte një gruaje.

Ndër kandidatët e tjerë ishin ish-ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, ish-presidentja e Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviq, dhe ish-ministrja e Mbrojtjes e Malit të Zi, Olivera Injac.

Shekerinska do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, jashtë Bashkimit Europian. Aktualisht, ajo është nënkryetare e Partisë së Socialistëve Europianë.