Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu (Foto ATSH)
Përfaqësues të ministrive, drejtues të institucioneve qendrore dhe vendore, prindër, mësues dhe partnerë ndërkombëtarë, u mblodhën në një takim për të diskutuar mbi fuqizimin e sigurisë në shkolla përmes mekanizmave që parandalojnë dhunën. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se siguria e fëmijëve është prioritet absolut dhe fuqizimi i mekanizmave të parandalimit ndaj çdo forme dhune brenda apo jashtë shkolle duhet të jetë angazhim i përbashkët, citon “ATSH”.
Në takim u diskutua një plan masash të shtuara për të fuqizuar sigurinë në shkolla.
“Diskutuam për masat e shtuara për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të dhunës në shkolla, përmes një plani veprimi për parandalimin e çdo forme të dhunës dhe rritjes së sigurisë në shkolla, duke filluar nga kurrikula e edukimit, përmirësimi i protokolleve të punonjësve të shërbimit social dhe psikologëve si dhe oficerëve të sigurisë në shkolla; te platformat proaktive të sinjalizimit të rasteve të konflikteve, të çdo forme të dhunës, përfshirë atë online”, - tha ministrja. Takimi u mbajt pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë.