Miratohet partneriteti i Sigurisë dhe Mbrojtjes mes Shqipërisë dhe BE-së
2024-11-21 16:49:40

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shqipëria dhe Bashkimi Europian miratuan Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Sipas njoftimit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ky kuadër i ri politik krijon një platformë për dialog dhe bashkëpunim të zgjeruar për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, duke reflektuar vendosmërinë e të dyja palëve për të punuar së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë në një mjedis global gjithnjë e më kompleks, shkruan “ATSH”.

“Shqipëria si vend negociues me BE-në dhe shtet anëtar i NATO-s ka qenë dhe është një partner i vyer dhe i besuar për BE-në në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar në mënyrë aktive në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së (CSDP).

Partneriteti i sapomiratuar i Sigurisë dhe Mbrojtjes mbështetet në këtë bazë të fortë, duke i hapur rrugën rritjes së bashkëpunimit në fusha kyçe, duke përfshirë menaxhimin e krizave, mbështetjen për Ukrainën, përballimin e kërcënimeve hibride, sigurinë kibernetike, ndërtimin dhe trajnimin e aftësive kundër terrorizmit dhe aspektet e jashtme të menaxhimit të integruar të kufirit”, - njofton MEPJ.

Sipas ministrisë, vendimi i korrikut 2024 i BE-së për t’i dhënë 13 milionë euro mbështetje Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të Fondit Europian të Paqes, ka qenë një moment historik i rëndësishëm në bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.