Foto nga VCG
Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë të mërkurën në mbrëmje në Brazilia në ceremoninë e mirëseardhjes të organizuar nga presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva.
Në fjalën e tij, Xi Jinping-u falënderoi presidentin Lula dhe popullin brazilian për pritjen e tyre të ngrohtë e miqësore dhe vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Brazilit nën udhëheqjen e presidentit Lula. Xi vuri në dukje se, megjithëse Kina dhe Brazili janë të ndarë nga oqeani i gjerë, kjo nuk i ka penguar kurrë që ta njohin e ta duan njëri-tjetrin. Kina dhe Brazili jo vetëm që kanë karakteristika dalluese, por edhe ndërthuren në mënyrë harmonike me njëri-tjetrin. Inovacioni i hapur dhe diversiteti janë karakteristikat dhe synimet e përbashkëta të të dy vendeve.
“Presidenti Lula dhe unë njoftuam ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në një komunitet Kinë-Brazil me një të ardhme të përbashkët që punon së bashku për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm, dhe dëshmuam nënshkrimin e një dokumenti bashkëpunimi që lidh ndërtimin e përbashkët të ‘Një brez, një rrugë’ me strategjinë e zhvillimit të Brazilit,” vuri në dukje Xi. Marrëdhënia ndërmjet dy vendeve ka hedhur kështu një hap të ri, duke marrë ngjyrimet e epokës së re dhe duke treguar gjallëri të madhe e perspektiva të gjera. Duke qëndruar në një pikënisje të re, Kina është e gatshme të punojë me Brazilin për të ndërtuar një bashkësi me të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil dhe për të filluar "50 vjetët e arta" të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.
Ndërsa Lula u shpreh se presidenti Xi Jinping dhe ai janë udhëheqësit e dy vendeve më të mëdha në zhvillim përkatësisht në hemisferën lindore dhe në atë perëndimore. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm për vuajtjet e njerëzve dhe jemi të përkushtuar për të përmirësuar jetesën e njerëzve dhe për të çrrënjosur varfërinë. Brazili i admiron shumë arritjet e zhvillimit të Kinës nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, veçanërisht nxjerrjen e 100 milionë njerëzve nga varfëria. Presidenti Xi Jinping ka dhënë një shembull për botën duke kërkuar përfitime për popullin, duke ruajtur barazinë e drejtësinë shoqërore, duke nxitur paqen e jo luftën, bashkëpunimin e jo konfrontimin dhe krijimin e jo shkatërrimin,” vuri në dukje Lula.
Ai theksoi se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike gjysmë shekulli më parë, lidhjet Brazil-Kinë janë bërë një model i bashkimit, bashkëpunimit dhe përfitimit të ndërsjellë për vendet e Jugut Global.
“Përafrimi i strategjive të zhvillimit ndërmjet Brazilit dhe Kinës do t'i ndihmojë të dy vendet të përparojnë së bashku dhe do t'i dëshmojnë botës se ne mund të arrijmë me sukses zhvillimin, rigjallërimin, barazinë dhe drejtësinë duke ndjekur rrugët tona përkatëse,” theksoi Lula. Sipas tij, Brazili dhe Kina i përmbahen multilateralizmit dhe mbrojnë zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe bashkëpunimi ndërmjet Brazilit e Kinës ka një ndikim të rëndësishëm dhe të gjerë në botë. Brazili pret të punojë ngushtë me Kinën për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët ndërmjet të dy vendeve.