Presidenti Bajram Begaj (Foto ATSH)
Partitë e vogla i kanë propozuar presidentit Bajram Begaj datën 4 maj për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Kjo u bë e ditur nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, në një prononcim për mediet, pas takimit me kreun e shtetit, shkruan “ATSH”.
Presidenti Bajram Begaj nisi të mërkurën konsultimet për të caktuar dhe dekretuar datën e zgjedhjeve parlamentare 2025.
Të parët që shkuan në zyrën e Begajt ishin Dashamir Shehi, Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Vangjel Dule. Takimi me drejtuesit e katër partive opozitare, LZHK, PR, PAA dhe PBDNJ në Presidencë zgjati rreth një orë. Të enjten, presidenti Begaj do të zhvillojë një takim me përfaqësues nga Partia e Lirisë.
Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, por edhe përfaqësuesit e KQZ-së janë thirrur në takim nga presidenti ditën e hënë.