Nis programi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në 5 qarqe
2024-11-21 17:16:47

Ministrja Mirela Kumbaro në takimin për mbetjet (Foto RTSH)

Ministrja Mirela Kumbaro në takimin për mbetjet (Foto RTSH)

Qeveria Shqiptare, Banka Gjermane dhe Kooperacioni Zviceran nisën programin për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në 5 qarqe, përkatësisht Durrës, Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorë. Takimi u mbajt në Tiranë, ku ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, u shpreh se  përvoja pozitive e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me KfË në qarkun e Korçës duhet të ndahet edhe në bashki të tjera, citon “RTSH”.

Ministrja Kumbaro tha gjithashtu se menaxhimi efektiv i mbetjeve para së gjithash është një revolucion social e kulturor.

"Ne sot betejën e kemi me standardet, të cilat nuk arrihen as duke ndërtuar një agjenci, as duke pasur një drejtor, ekip apo duke marrë një kredi, por duke punuar me të gjithë shoqërinë dhe me të gjitha hallkat. Ndërkohë, krenohemi me shifrat, por sa më shumë shtohen turistët, aq më shumë shtohet problemi i menaxhimit të mbetjeve në territor. Një territor i pastër nuk mund të jetë me kosha të zbrazur dhe plehra të shpërndara.  Sot mblidhen mbi 85% të mbetjeve urbane", - vazhdoi ministrja Kumbaro.

Ky program prej 66 milionë euro siguron investime të rëndësishme në infrastrukturën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në Durrës, Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorë, që nga landfillet e mbetjeve urbane sipas standardeve europiane, stacione transferimi, impiante të ndarjes së mbetjeve, qendra kompostimi apo investime në makineri për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve me objektivin për të reduktuar me 20% sasinë e mbetjeve në pikat fundore falë proceseve të riciklimit.