
foto VCG
Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, i ka quajtur të papërgjegjshme kërcënimet bërthamore të Rusisë, pasi presidenti Vladimir Putin zgjeroi hapësirën dhe mundësinë për përdorimin e armëve atomike nga Moska.
“Nuk është hera e parë që Putin bën lojëra të tilla me armët bërthamore”,- u tha gazetarëve shefi i politikës së Jashtme në largim. “Rusia është pajtuar me parimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet ndaj nuk duhet të ndodhë kurrë”,- tha ai, duke paralajmëruar se çdo thirrje për luftë bërthamore është papërgjegjshmëri, citon “RTSH”.
Borrell më herët u kishte bërë apel vendeve anëtare të BE-së që të rreshtoheshin me Uashingtonin për të lejuar Ukrainën të godiste brenda Rusisë.
Ai tha se shtetet e BE-së kishin rënë dakord "me një shumicë dërrmuese" se fati i Ukrainës do të përcaktojë fatin e Bashkimit Europian.
“Nëse Putini mund të jetë i suksesshëm në Ukrainë, do të paguajmë një faturë shumë të lartë, shumë më të shtrenjtë se çdo lloj mbështetje ushtarake që mund të ofrojmë sot”, - tha ai.
