Vizita shtetërore e Presidentit të Kinës Xi Jinping në Brazil, në kuadër të 50 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Gjatë bisedimeve të datës 20 nëntor, dy krerët e shteteve arritën një konsensus të ri strategjik për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Më e rëndësishmja është se ata vendosën ngritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve në një “Komunitet me një të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil", për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm, duke integruar ndërtimin e përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë" me strategjitë e zhvillimit të Brazilit.

Liderë të Kinës dhe të Brazilit takohen në Brasilia, Brazil, 20 nëntor 2024/Xinhua
Sipas analistëve, kjo tregon se të dyja palët kanë përputhshmëri të lartë në vizionet e tyre për zhvillimin e ardhshëm, duke marrë përsipër përgjegjësitë e tyre për të ardhmen dhe fatin e njerëzimit, si edhe duke mishëruar natyrën globale, strategjike dhe afatgjatë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Aktualisht, struktura botërore po përjeton ndryshime me një ritëm të përshpejtuar. Ndërkohë "Jugu Global" po rritet kolektivisht. Si dy forca të rëndësishme të Jugut Global, Kina dhe Brazili konsiderojnë njëzëri si synimet më të rëndësishme, përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së njerëzve.
Duke e konsideruar ngritjen e marrëdhënieve si një pikënisje të re, si mundet Kina dhe Brazili të çelin një tjetër 50 vjeçar të artë?
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, zhvillimi është çelësi kryesor për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Gjithashtu është interesi në fokus i vendeve në zhvillim. Vitet e fundit, që nga furnizimi me energji të gjelbër i mijërave familjeve në Brazil, shfrytëzimi i ideve dhe teknikave të reja të futura në bujqësinë braziliane, e deri tek bashkëpunimi në fusha të reja në zhvillim, Kina dhe Brazili kanë vazhduar të promovojnë bashkimin e strategjive të zhvillimit, duke sjellë reciprokisht përfitime të mëdha ekonomiko-sociale.

Foto nga CMG
Gjatë kësaj vizite në Brazil, kreu i shtetit të Kinës propozoi thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, financat, shkenca, teknologjia, mbrojtja e mjedisit, si dhe forcimin e bashkëpunimit në hapësirën ajrore, shkencën dhe teknologjinë bujqësore, energjinë e pastër dhe fusha të tjera. Ndërsa, pala braziliane theksoi se të dyja palët duhet të promovojnë bashkëpunimin në fusha si infrastruktura, financat, zinxhiri industrial, shkenca e teknologjia dhe mbrojtja ekologjike e mjedisore. Brazili mirëpret më shumë kompani kineze për të investuar në Brazil dhe pret përmirësimin e niveleve të ndërlidhjes dhe logjistikës me Kinën.
Si rezultat i rëndësishëm i kësaj vizite, të dyja palët nënshkruan një plan bashkëpunimi për integrimin e nismës "Një brez, një rrugë" me "Planin e Rritjes së Përshpejtuar", "Planin e Industrializmit të Ri", "Planin e Transformimit Ekologjik" dhe "Planin e Integrimit të Amerikës së Jugut". Analistët vunë në dukje se kjo do të ndihmojë në mënyrë efektive përpjekjet e dy vendeve gjatë rrugës drejt modernizimit dhe do të rrisë nivelin e përgjithshëm të bashkëpunimit midis Kinës dhe Amerikës Latine.
Sigurisht, si dy forca udhëheqëse ndër vendet në zhvillim, marrëdhëniet Kinë-Brazil kanë shkuar përtej sferës dypalëshe, duke luajtur një rol pozitiv në përmirësimin e qeverisjes globale. Nga publikimi i "konsensusit gjashtëpikësh" për nxitjen e një zgjidhjeje politike të krizës së Ukrainës, tek thirrja e përbashkët ndaj Palestinës dhe Izraelit, që të pushojnë zjarrin dhe t'i japin fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur, me zbatimin e projektit të zgjidhjes me dy shtete, Kina dhe Brazili kanë praktikuar një multilateralizëm të vërtetë, duke mbajtur një qëndrim të drejtë.
Kësaj radhe, Kina dhe Brazili deklaruan njëzëri se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë brenda mekanizmave shumëpalësh si Kombet e Bashkuara, G20 dhe BRICS, për të trajtuar së bashku sfidat e sigurisë në fushat tradicionale dhe jotradicionale si uria dhe varfëria, konfliktet rajonale, ndryshimet klimatike dhe siguria kibernetike. Njerëzit kanë arsye të besojnë se sa më afër të qëndrojnë të dyja vendet, aq më shumë do të mbrohen interesat e përbashkëta të "Jugut global" dhe aq më e madhe do të jetë forca për ruajtjen e paqes dhe zhvillimit botëror.

Foto nga CMG
Pas 50 vjetësh, marrëdhëniet Kinë-Brazili kanë hyrë në periudhën më të mirë historike. Në një pikënisje të re, këta "partnerë të artë" të hemisferave lindore dhe perëndimore, do të punojnë së bashku për të ndërtuar një botë më të mirë. Siç tha edhe Presidenti Xi, duke iu referuar fjalëve të futbollistit legjendar brazilian Pele, goli më i mirë është gjithmonë ai i ardhshmi, ndaj kapitulli më i mirë i marrëdhënieve Kinë-Brazil do të shpaloset edhe në të ardhmen.
