

Të martën, ambasadorja e Kinës në Shqipëri Pang Chunxue mori pjesë në aktivitetin kremtues me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë të organizuar në qytetin e Vlorës nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë. Në aktivitet morën pjesë mbi 100 personalitete miqësore të qarqeve të ndryshme shqiptare, duke përfshirë prefekten e Vlorës Etjona Hoxha, kryetarin e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, drejtues të degës së Vlorës të kësaj shoqate, studentë shqiptarë që kanë studiuar në Kinë etj.
Ambasadorja Pang Chunxue u shpreh se dega e Vlorës e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë është një nga grupet miqësore me Kinën të themeluara më herët dhe me përmasat më të mëdha në Shqipëri, e cila ka dhënë kontribut të rëndësishëm për forcimin e miqësisë kino-shqiptare, të marrëdhënieve dypalëshe dhe të shkëmbimeve në nivel pushteti vendor ndërmjet të dy vendeve për shumë vjet me radhë. Me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë, ambasada kineze do të punojë së bashku me miqtë e rinj e të vjetër shqiptarë për të nxitur më tej shkëmbimet dhe bashkëpunimin Kinë-Shqipëri në të gjitha fushat, duke vazhduar miqësinë tradicionale ndërmjet të dy popujve.
Pala shqiptare vlerësoi lart sukseset e zhvillimit të modernizimit kinez dhe u shpreh se gjatë 75 vjetëve bashkëpunimi miqësor ka qenë gjithmonë tipari kryesor i marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Në shekullin e kaluar, shumë ekspertë kinezë erdhën në Vlorë për ta ndihmuar palën shqiptare në zhvillimin e këtij qyteti dhe populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë kontributin e Kinës në këtë drejtim. Në epokën e re, pala shqiptare pret të forcojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me Kinën në fushën arsimore, turistike, të pushtetit vendor etj. për t’i çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe.
Ambasadorja Pang Chunxue zhvilloi shkëmbime të ngrohta me të ftuarit shqiptarë, duke shikuar bashkë me ta shfaqje artistike. (Fani)
