foto: VCG
Të mërkurën paradite sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me presidentin e Brazilit Luiz Lula da Silva në Pallatin Presidencial në kryeqytetin brazilian Brazilia.
Xi Jinping-u theksoi se është shumë i kënaqur që viziton Brazilin në një vit me rëndësi historike, që është 50- vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Brazilit. "Kjo është vizita ime e pestë në vendin tuaj dhe Brazili është gjithashtu vendi i Amerikës Latine që kam vizituar më shumë,” i tha Xi homologut brazilian. Sipas tij, nën udhëheqjen e presidentit Lula, ekonomia dhe shoqëria braziliane janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme dhe Brazili është bërë një ndër dhjetë ekonomitë kryesore të botës. Presidenti kinez i përgëzoi liderët e G20-ës për mbledhjen e suksesshme të Samitit të Rio-de-Zhanejros dhe fillimin e Aleancës Globale kundër Urisë dhe Varfërisë.
foto: VCG
Kina dhe Brazili janë dy vendet kryesore në zhvillim përkatësisht në hemisferën lindore dhe atë perëndimore. Gjatë 50 vjetëve të fundit, marrëdhëniet dypalëshe “kanë kapërcyer” male e dete dhe Kina e Brazili kanë eksploruar mënyrën e duhur për të arritur respekt reciprok, përfitim të ndërsjellë dhe miqësi ndërmjet vendeve të mëdha në zhvillim. Xi vuri në dukje që Brazili është vendi i parë që ka krijuar partneritet strategjik me Kinën dhe vendi i parë i Amerikës Latine që ka vendosur një partneritet strategjik gjithëpërfshirës me Kinën. “Vitet e fundit, nën drejtimin strategjik të zotit President dhe timin, të dy vendet janë bërë gjithnjë e më shumë miq të besueshëm me një fat të përbashkët dhe një forcë pozitive në promovimin e paqes. Marrëdhëniet Kinë--Brazil janë në periudhën më të mirë në histori. Sot do të doja të njoftoja së bashku me zotin President ngritjen e nivelit të marrëdhënieve kino-braziliane në një komunitet me të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil që punon së bashku për të krijuar një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm,” u shpreh Xi. Në të njëjtën kohë, do të ndërthuret ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" me strategjinë e zhvillimit të Brazilit. Ky është një tjetër moment historik në zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Brazil, i cili përmbush pritshmëritë e përgjithshme të dy popujve dhe do të japë shtysë e mbështetje për të dyja palët për të çuar përpara modernizimet e tyre përkatëse. Në të njëjtën kohë, kjo demonstron gjithashtu vendosmërinë e Kinës dhe Brazilit për ruajtjen e barazisë e drejtësisë ndërkombëtare dhe promovimin e zhvillimit të përbashkët të botës, vuri në dukje Xi.
Mbreti i futbollit Pelé ka thënë: "Qëllimi më emocionues është ai i radhës." Kina është e gatshme të punojë me Brazilin, duke pasur në fokus të ardhmen e njerëzimit dhe mirëqenien e njerëzve, për të pasuruar vazhdimisht përmbajtjen e marrëdhënieve kino-braziliane në epokën e re, për të qenë "partnerë të artë" për arritje të ndërsjella dhe për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme. “Ne do të ecim drejt objektivit të ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, një bote më të drejtë dhe një planeti më të qëndrueshëm, dhe do të japim kontribute më të mëdha për kauzën e paqes dhe përparimit njerëzor,” theksoi Xi.