Me ftesë të presidentit të Republikës Federale të Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping zhvilloi një vizitë shtetërore në Brazil më 20 nëntor 2024.
1. Të dy palët vendosën ta ngrenë nivelin e marrëdhënieve dypalëshe në një komunitet me të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil që punon së bashku për të krijuar një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm
2. Të dyja palët ranë dakord se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Brazilit 50 vjet më parë, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve u kanë rezistuar sprovave të situatës ndërkombëtare gjithnjë në ndryshim dhe kanë ruajtur gjithmonë një zhvillim pozitiv. Në vitin 1993, Brazili u bë vendi i parë që vendosi një partneritet strategjik me Kinën. Në vitin 2004, Brazili u bë një nga vendet e para që njohu statusin e ekonomisë së tregut të Kinës. Në vitin 2012, Brazili u bë vendi i parë i Amerikës Latine që vendosi një partneritet strategjik gjithëpërfshirës me Kinën. Nën drejtimin strategjik të dy krerëve të shtetit dhe me bashkërendimin e fortë të mekanizmit të Komitetit të Koordinimit dhe Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Kinë-Brazil, marrëdhëniet dypalëshe kanë hyrë në periudhën më të mirë në histori dhe tiparet e natyrës strategjike, përfitimit reciprok dhe gjithëpërfshirjes janë bërë gjithnjë e më të spikatura, duke u bërë model i marrëdhënieve ndërmjet vendeve të mëdha të Jugut Global dhe të vendeve në zhvillim.
3. Brazili mbështet Kinën në promovimin e gjithanshëm të ndërtimit të një vendi të fortë dhe rilindjes kombëtare nëpërmjet modernizimit të stilit kinez. Kina mbështet Brazilin në ndjekjen e një rruge zhvillimi të drejtë, gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme dhe që synon eliminimin e urisë dhe varfërisë, dhe dëshiron që Brazili të arrijë rezultate të reja në zhvillimin ekonomik e shoqëror.
4. Të dyja palët urojnë për mbajtjen me sukses të mbledhjes së shtatë të Komitetit të Nivelit të Lartë Kinë-Brazil në Pekin në qershor 2024. Komiteti i Nivelit të Lartë Kinë-Brazil u krijua gjatë vizitës së parë shtetërore të presidentit Lula në Kinë në vitin 2004. Komiteti ka forcuar vazhdimisht bashkëpunimin dhe dialogun e hapur ndërmjet dy vendeve dhe ka promovuar zhvillimin e partneritetit dypalësh në një drejtim më strategjik.
5. Për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri, të dyja palët ranë dakord të përafrojnë ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" me "Planin e Rritjes së Përshpejtuar", "Planin e Ri Industrial", "Planin e Transformimit Ekologjik" të Brazilit, "Planin e Rrugës së Integrimit të Amerikës së Jugut" dhe strategji të tjera zhvillimi, për të nxitur më shumë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, për të ndihmuar proceset e tyre përkatëse të modernizimit dhe për të dhënë kontribute pozitive në promovimin e lidhjes rajonale dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
6. Në procesin e përafrimit të strategjive të zhvillimit të dy vendeve, të dyja palët do të fokusohen në nxitjen e bashkëpunimit strategjik në fushat e financës, infrastrukturës, zhvillimit të zinxhirit industrial, investimeve, transformimit ekologjik, inovacionit teknologjik etj.
7. Të dy palët besojnë se të dy vendet kanë potencial për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes kombëtare e të industrisë së mbrojtjes dhe duhet të forcojnë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe të eksplorojnë ide të reja bashkëpunimi.
8. Pas mbajtjes me sukses të një sërë aktivitetesh kulturore për të festuar 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Brazilit, të dyja palët ranë dakord ta caktojnë vitin 2026 si "Viti i kulturës Kinë-Brazil" për të forcuar lidhjet kulturore dhe për të rritur mirëkuptimin ndërmjet të dy popujve, veçanërisht për të promovuar përhapjen e kulturave të dy vendeve.
9. Brazili ripohon ndjekjen e parimit të “një Kine” dhe pranon se ka vetëm një Kinë në botë, Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme. Brazili mbështet përpjekjet e Kinës për të arritur ribashkimin paqësor të vendit. Kina e vlerëson shumë këtë.
10. Të dyja palët përsëritën mbështetjen e tyre për ruajtjen e autoritetit të Kombeve të Bashkuara dhe mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për të luajtur një rol qendror në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe promovimin e zhvillimit. Të dyja palët besojnë se është e nevojshme të reformohen Kombet e Bashkuara e Këshilli i Sigurimit, për t'i bërë ato më përfaqësuese dhe më demokratike.
11. Të dyja palët besojnë që Kina dhe Brazili, si përfaqësues të rëndësishëm të Jugut Global e anëtarë të G20-ës dhe BRICS-it, kanë qëndrime të ngjashme për çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale. Të dyja palët theksuan rëndësinë e ruajtjes së autoritetit dhe rolit thelbësor të Kombeve të Bashkuara dhe promovimit të qeverisjes globale bazuar në multilateralizmin, ligjin ndërkombëtar dhe qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Të dy palët do të intensifikojnë më tej bashkëpunimin strategjik në platformat shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, G20 dhe BRICS, do të nxitin zhvillimin më të drejtë dhe më të arsyeshëm të rendit ndërkombëtar dhe do të përpiqen të arrijnë një multipolaritet të barabartë e të rregullt botëror dhe një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës. Të dy palët theksuan se, si shembull i pikëpamjeve të ngjashme në fushën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, të dy vendet arritën "Konsensusin Kinë-Brazil për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës" dhe nxitën vendet e Jugut Global të mbajnë një takim të nivelit të lartë mbi krizën e Ukrainës në Nju-Jork më 27 shtator. Gjithashtu edhe krijuar grupi "Miqtë e Paqes" dhe është publikuar një komunikatë e përbashkët.
12. Të dyja palët bien dakord të punojnë së bashku për të nxitur mësimin e ndërsjellë dhe shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale me mjete politike e diplomatike dhe për të dhënë kontribut në promovimin e paqes botërore, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Brazili mirëpret Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global të propozuara nga Kina.
13. Kina e vlerëson shumë punën pozitive të bërë nga Brazili gjatë mandatit të tij si kryesues i radhës i G20-ës, veçanërisht tre përparësitë, përkatësisht përfshirjen shoqërore dhe luftimin e urisë dhe varfërisë, transformimin energjetik e zhvillimin e qëndrueshëm dhe reformën e institucioneve të qeverisjes globale. Kina uron për suksesin e plotë të Samitit të Rio-de-Zhanejros. Brazili e vlerëson kontributin e Kinës në Samitin e Rio-de-Zhanejros.
14. Kina rithekson mbështetjen e saj dhe i bashkohet Aleancës Globale kundër Urisë dhe Varfërisë të propozuar nga Brazili. Të dyja palët theksuan gjithashtu domosdoshmërinë për të çrrënjosur varfërinë në të gjitha format, për të pakësuar pabarazinë dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë, duke përfshirë shkëmbimin e përvojave nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar dhe bashkëpunimit Jug-Jug.
15. Kina mirëpret nisjen dhe miratimin nga Brazili të "Planit të Veprimit për Reformën e Qeverisjes Globale" gjatë mandatit të tij si kryetar i G20-ës. Të dyja palët janë të gatshme të vazhdojnë të zbatojnë me vendosmëri angazhimet e marra në "Planin e Veprimit" dhe të promovojnë reformat e nevojshme të institucioneve të qeverisjes globale me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2025. Të dyja palët ritheksuan nevojën për të kryer reforma të gjera në sistemin financiar global dhe për të rritur ndikimin dhe përfaqësimin e vendeve në zhvillim në institucionet financiare globale.
16. Kina mbështet Brazilin në marrjen e kryesimit të BRICS-s më 2025, zhvillimin me sukses të Takimit të 17-të të Liderëve të BRICS-it dhe organizimin e Konferencës së 30-të të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike më 2025.
17. Pala kineze vlerëson komunikatën e përbashkët "Të bashkuar për pyjet tona" të publikuar gjatë Samitit të Amazonës të mbajtur në Belem të shtetit brazilian Para, më 9 gusht 2023. Kina mirëpret nismën e Brazilit për të krijuar fondin “Pyjet tropikale të përhershme" në kuadrin e Konferencës së 30-të të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe pret me padurim rolin pozitiv të kësaj nisme.
18. Të dyja palët theksojnë që zhvillimi i qëndrueshëm është parimi udhëheqës i bashkëpunimit ndërkombëtar, i cili ndihmon për të siguruar rritje të barabartë ekonomike, për të ruajtur mirëqenien shoqërore, si edhe për shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve mjedisore në dobi të të gjithë njerëzve.
19. Të dy palët ranë dakord të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë për të nxitur një zhvillim më të madh të bashkëpunimit të gjithanshëm midis Kinës e Amerikës Latine dhe pranuan të ruajnë komunikimin e bashkëpunimin e ngushtë në zhvillimin e një sesioni të ri të Forumit Kinë-Amerika Latine në një kohë të përshtatshme. Të dyja palët ranë në një mendje të vazhdojnë të promovojnë dialogun midis Kinës dhe Tregut të Përbashkët Jugor.
20. Të dyja palët vlerësojnë lart rezultatet e frytshme të vizitës së presidentit Xi Jinping dhe besojnë që kjo vizitë është një moment historik në ngritjen e nivelit strategjik të marrëdhënieve Kinë-Brazil. Presidenti Xi Jinping shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për pritjen e ngrohtë e miqësore nga presidenti Lula, qeveria braziliane dhe populli brazilian.