Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani/Foto nga VCG
Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, ka hedhur poshtë pretendimet izraelite në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për sulmet e milicive shiite të Irakut të mbështetur nga Irani ndaj Izraelit.
Ai tha se ky qëndrimi i Izraelit është një pretekst dhe argument për të sulmuar Irakun dhe për të zgjeruar luftën në rajon, shkruan “RTSH”.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa'ar, postoi në “X” një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke bërë të ditur se Izraeli ka të drejtën e natyrshme për t'u vetëmbrojtur dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur veten dhe qytetarët e tij kundër akteve të vazhdueshme të armiqësive nga Irani.
Rezistenca Islamike e mbështetur nga Irani në Irak ka pohuar se ka lëshuar dhjetëra dronë në Izrael që nga shpërthimi i luftës vitin e kaluar me sulmin e grupit terrorist Hamas më 7 tetor 2023.
Shumica e sulmeve të grupit kanë dështuar të kalojnë kufirin e Izraelit ose janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore.
Muajin e kaluar, dy ushtarë u vranë nga një dron i nisur nga grupi në një bazë ushtarake në Lartësitë Golan dhe në shtator, njëri goditi portin Eilat, duke shkaktuar dëme dhe duke plagosur lehtë dy persona.
Sa'ar tha se disa nga milicitë janë pjesë e Forcave të Mobilizimit Popullor, një koalicion i grupeve të armatosura kryesisht shiite, që është teknikisht pjesë e ushtrisë irakiane, megjithëse operon në praktikë kryesisht jashtë kontrollit të shtetit. Ai i kërkoi qeverisë irakiane të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të ndalur dhe parandaluar këto sulme.
Zyra e kryeministrit Al-Sudanit bëri të ditur përmes një deklarate se Iraku refuzon të hyjë në konfliktin rajonal, ndërsa kërkon të ofrojë lehtësim për popullin palestinez dhe libanez.