Gratë në lidership. Historia e suksesit e Eljona Boçes
2024-11-21 10:49:51

Ndërsa vetë gëzon një karrierë të pasur në fushën e lidershipit dhe menaxhimit, Eljona Boçe ka treguar për mediat rrugëtimin e saj profesional, sfidat dhe arritjet, si dhe për rolin e grave në sipërmarrje dhe lidership.  Ajo  ka treguar aftësi të jashtëzakonshme në drejtimin e projekteve të shumta dhe në përmirësimin e politikave sociale.  Për Revistën “Monitor” Drejtoresha e World Vision Albania Eljona Boçe flet për ambicjet e grave.

Foto nga Monitor

Foto nga Monitor

“Tek shqiptarët unë shikoj që ka dhe mendoj që se së pari fillon në një lloj perceptimi që ne si gra kemi për pritshmëritë ndaj vetes. Ne i vendosim pritshmëri të larta vetes tonë dhe mendojmë që në të gjitha gjërat duhet të jemi shumë mirë, dhe në këtë mënyrë futemi në atë që ne në psikologji e quajmë përmbushja e profetësisë vetjake. Ti punon fort, merr shumë përsipër, njerëzit e tjerë të japin akoma më shumë punë se thonë mbaka dhe ti pastaj thua “a e shikon sa shumë punë më japin!”. Kërkohet shumë prej meje dhe pritshmëritë janë të larta dhe unë duhet të performoj. Në këtë mënyrë ke përmbushur profetësinë tënde. Kësaj i duhet thënë ndal në një moment. Gratë mund të bëjnë shumë gjëra dhe janë të afta, këtë gjë e kam vënë re.”- thotë  Drejtoresha e World Vision Albania, Eljona Boçe.

Eljona Boçe tregon mënyrën se si drejtohet një biznes nga gratë dhe  ku dallojnë nga burrat.

“Unë shikoj një dallim mes grave sipërmarrëse dhe burrave sipërmarrës në Shqipëri. Mendoj që janë njësoj të aftë për të drejtuar dhe për të bërë gjëra shumë të mira, shumë inovatore. Fakti është që gratë e ndjejnë presionin më fort sesa burrat, dhe për një arsye ose një tjetër dita jonë krahasuar me ditën e një burri që është në të njëjtin pozicion, nuk është e ngjashme dhe presioni që përjeton një grua nuk është i ngjashëm. Mendoj që këtu hyn në lojë një lloj urtësie që ne duhet të tregojmë vetë për të thënë ndal, pra deri këtu unë jam në gjendje që ta mbaj, dhe deri këtu është mjaftueshëm mire. Nuk ka nevojë që të jetë çdo gjë e përsosur, sepse shumë shpesh me veten time jam ndjerë që nuk jam një nënë e mirë, nuk jam një bashkëshorte e mire, as punën nuk po e bëj aq mirë sa do të doja ta bëja. Është e pamundur të jesh e përsosur, kjo është e para që duhet të kuptojmë. Së dyti duhet të jemi shumë të kujdesshëm për t’i menaxhuar me kujdes dhe për të thënë ndal me shumë mirësjellje edhe ndaj vetes edhe ndaj të tjerëve”, u shpreh ajo.

Foto nga Monitor

Foto nga Monitor

Ajo ndan me mediat disa nga iniciativat e ndërmarra, që kanë gjetur zbatim. Nismat janë në të mirë të komunitetit siç është edhe mbështetja e familjeve në vështirësi ekonomike.

“Ne kemi projekte shumë të bukura. Një nga projektet më të bukura që kemi është për të rinjtë, ne punojmë me grupe të rinjsh. Aktualisht kemi 61 grupe rinore, të cilat janë duke marrë aftësi për qytetarinë, për udhëheqësinë, për lidershipin, për sipërmarrje sociale dhe në këtë aftësim të tyre ata bëhen gjithashtu aktiv edhe në ndihmën ndaj komunitetit të tyre. Marrin nisma për të ndihmuar komunitetet e tyre. Nisma shumë interesante. Ky është një nga komponentët më të bukur të programit tonë. Një pjesë tjetër është puna me prindërit për t’i dhënë atyre praktikat pozitive të prindërimit, mbështetja e familjeve të cilat janë në vështirësi ekonomike, për t’u dhënë atyre mjetet, aftësitë, teknologjitë që të mund të kenë një qëndrueshmëri ekonomike dhe është ngritja e shërbimeve psikosociale për shërbime të specializuara për ata fëmijë të cilët kanë nevojë për më shumë ndihmë, siç mund të jenë fëmijët me aftësi të kufizuar apo fëmijët, të cilët janë të privuar në jetën e tyre. Programi është shumë i larmishëm dhe ka në vetvete copëza tepër të bukura shumëngjyrëshe që mendoj se sjellin ndryshimin e njerëzve në Shqipëri.”

Foto nga Monitor

Foto nga Monitor

Teksa jep shembuj,  ajo tregon për mënyrën se si organizohet puna.

“Aktualisht World Vision Albania ka 50 veta, të cilët janë të shpërndarë në bashkitë e ndryshme të vendit. Dita ime e punës, në fakt, unë nuk e ndaj me ditë më shumë se sa me javë. Java ime duhet të ketë pjesë në terren, duhet të shkoj diku për të parë një projekt sesi jemi duke e zbatuar, të takohem me pjesëmarrës në atë projekt, të dëgjoj historitë e tyre, të takoj shumë njerëz të rinj gjatë javës. Këtë e kam një pjesë të javës time që mezi i pres. Më duhet të udhëtoj në Shqipëri. Një pjesë tjetër janë bisedat e vazhdueshme me skuadrën time dhe këtë e shijoj sepse gjithmonë e shikoj me syrin që kam çfarë të mësoj nga secili prej tyre. Vazhdimisht mundohem të bëj pyetje gjatë bisedave tona sepse mendoj që pyetjet të çojnë në një nivel më të thelluar të të menduarit dhe i shkon çështjes deri në fund, për të kuptuar realisht se çfarë është duke ndodhur.”

Ajo jep këshilla për të qenë një lidere e mirë.

“Kam lexuar kohët e fundit një artikull shumë interesant, ku thuhet që një nga këshillat për udhëheqësit ishte: Në rast se ti problemin e hedh pas shpinës, problemi do të shfaqet përpara syve. Pra nuk mund t’i lësh problemet pa i trajtuar, pa i folur dhe probleme ka në çdo vend pune. Kështu që ne debatojmë shumë. Nëqoftëse do ishit prapa derës së një takimi të World Vision do të dëgjoje një debat, ne dabatojmë me njëri tjetrin, diskutojmë me njëri-tjetrin sepse duam që të përmirësohemi në punën tone të përditshme. Një pjesë tjetër është dhe mbajtja e marrëdhënieve që në anglisht i thonë “stakeholders”, janë grupet e interesuar që kanë një rol të rëndësishëm në organizatë, bordi drejtues dhe roli im si drejtuese që të mbaj marrëdhënie të vazhdueshme, t’i mbaj të informuar, të konsultuar, të përfshirë në vendimmarrje. Një tjetër është struktura qendrore World Vision Internacional, pasi një pjesë të fondeve i marrim prej tyre, kështu që dhe me ata duhet të mbahet një lidhje e vazhdueshme dhe me bashkëpunëtorët, që janë institucione shtetërore, organizata të tjera, agjenci ndërkombëtare, donatorët, auditi”- thotë  Drejtoresha e World Vision Albania Eljona Boçe.

Pothuaj të gjithë teoricienët e lidershipit arrijnë në një pikë të përbashkët mendimi: lidershipi femëror prezanton tiparet e lidershipt transformues, dhe shpirtëror.