Rusia: ShBA-ja po bën gjithçka për të zgjatur konfliktin në Ukrainë
2024-11-21 15:37:37

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov (Foto ATSH)

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov (Foto ATSh)

Rusia akuzoi ShBA-në për zgjatjen e konfliktit në Ukrainë duke rritur dërgesat e armëve për Kievin zyrtar, përpara se Donald Trump të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, shkruan “ATSh”.

“ShBA-ja së shpejti do t’i sigurojë Ukrainës mina tokësore, për të forcuar mbrojtjen e saj kundër forcave ruse”,- deklaroi një zyrtar amerikan, duke iu referuar furnizimeve të fundit ushtarake të njoftuara nga administrata amerikane.

“Nëse shikoni tendencat e administratës amerikane në largim, ato janë plotësisht të përkushtuara për të vazhduar konfliktin në Ukrainë dhe po bëjnë gjithçka që munden për ta bërë këtë”,- deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

ShBA-ja i bëri të ditur Ukrainës se mund t’i përdorë minat vetëm në zonat që nuk janë të populluara, në mënyrë që të ulë rrezikun që ato paraqesin për civilët.

Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht mbështetjen e ShBA-së për Ukrainën duke pretenduar se ai mund të sigurojë një armëpushim brenda disa orësh.

Presidenti në detyrë Joe Biden ka autorizuar Ukrainën që të përdorë raketat “ATACMS” me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga ShBA-ja për sulme në territorin rus.