Aktiviteti i CIUT-it me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Kineze më 19 prill 2024/ foto nga ambasada e Kinës në Shqipëri
Njëzet vjet më parë, Kina dhe Uzbekistani nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mbi Institutin “Konfuci” në Universitetin Shtetëror për Studimet Orientale të Tashkentit, duke shënuar lindjen e institutit të parë “Konfuci” në botë. Gjatë 20 vjetëve, Instituti “Konfuci” është mirëpritur gjerësisht nga njerëzit e mbarë botës, falë mësimit të gjuhës dhe përdorimit të integrimit kulturor si urë për të nxitur shkëmbimet njerëzore.
Aktiviteti i CIUT-it me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze të Kombeve të Bashkuara më 20 prill 2023/ foto nga ambasada e Kinës në Shqipëri
Qysh prej themelimit të tij, Instituti “Konfuci” ka pasur një rritje të vazhdueshme, duke u kthyer “nga i vogël në i madh”. Sipas të dhënave statistikore, deri më 31 tetor 2024, 294 institucione kineze dhe 1 272 institucione të huaja kanë bashkëpunuar në ngritjen e 499 instituteve “Konfuci” dhe 764 klasave “Konfuci” në 161 vende e rajone, me gjithsej afro 20 milionë studentë. Ndër ta, mbi 4 730 janë shqiptarë nga Instituti “Konfuci” në Universitetin e Tiranës (CIUT), sipas profesorit Zheng Baoguo, drejtori kinez i CIUT-it.
Studentët duke marrë certifikatën e Kampit Dimëror të organizuar nga CIUT, më 6 qershor 2022/ foto nga ambasada e Kinës në Shqipëri
CIUT u krijua më 18 nëntor 2013, bashkërisht nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit. Ai është i pari dhe i vetmi institut “Konfuci” në Shqipëri deri më sot. Ky institut joqeveritar dhe jofitimprurës u shërben kryesisht nxënësve e studentëve nga shkollat 9-vjeçare, të mesme e të larta, ndërkohë që është i hapur edhe për masat e gjera. Krahas kurseve me përzgjedhje të gjuhës kineze për gjashtë fakultetet pranë Universitetit të Tiranës, CIUT ka krijuar edhe disa pika të mësimdhënies në shkollat e mesme dhe të larta në Tiranë e Durrës.
Nga kërkimi fillestar deri në zhvillimin e vrullshëm të sotëm, Instituti “Konfuci” është bërë një urë e rëndësishme e shkëmbimeve kulturore ndërmjet Kinës dhe vendeve të tjera, duke hapur për njerëzit e mbarë botës një dritare për mësimin e gjuhës kineze dhe për njohjen e Kinës.
Ambasadori i atëhershëm i Kinës Zhou Ding mori pjesë në ceremoninë e dhënies së Bursës së Ambasadorit në Universitetin e Tiranës, më 15 mars 2023/ foto nga ambasada e Kinës në Shqipëri
Një rol të tillë ka luajtur edhe CIUT. Gjatë viteve ‘60 e ‘70 të shekullit të kaluar, shumë shqiptarë e dinin mirë gjuhën kineze, falë studimeve në Kinë ose punës bashkë me ekspertët kinezë në Shqipëri. Ndërsa gjatë viteve ‘80 e ‘90, në periudhën e ftohjes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, kishte mungesa edhe në talentet që njihnin gjuhën kineze. Kjo gjendje filloi të ndryshonte pas krijimit të CIUT-it dhe tani gjithnjë e më shumë të rinj shqiptarë po mësojnë gjuhën kineze dhe e admirojnë kulturën kineze. Një pjesë prej tyre, që kanë dalë me rezultate të mira në Provimin e Nivelit të Gjuhës Kineze (HSK), kanë fituar bursa kineze dhe madje kanë pasur mundësi të studionin në Kinë me bursa qeveritare.
Gjatë zhvillimit të Institutit “Konfuci”, fryma e bashkëpunimit ka qenë kyçi i suksesit. Tony Browne, këshilltar i nivelit të lartë i zhvillimit global të Institutit “Konfuci” dhe ish-drejtor i Institutit “Konfuci” në Universitetin Victoria të Uellingtonit, shprehet se prej kohësh “mund të ndiesh dukshëm besimin reciprok”. Ai mendon që ky shpirt i bashkëpunimit mishërohet te respekti i ndërsjellë, toleranca ndaj njëri-tjetrit dhe përpjekjet e përbashkëta për të ardhmen.
Studentët shqiptarë që morën pjesë në finalen e zonës së Shqipërisë të Konkursit Botëror të Studentëve Universitarë për Gjuhën Kineze "Ura e Gjuhës Kineze" , më 15 mars 2023/ foto nga ambasada e Kinës në Shqipëri
Çdo hap i Institutit “Konfuci” nuk ndahet nga novacioni. Nga mësimdhënia në klasë deri te aktivitetet e shkëmbimeve kulturore, Instituti “Konfuci” ka krijuar pandërprerë metoda të reja të mësimdhënies dhe të shkëmbimeve kulturore. Drejtori kinez i CIUT-it Zheng Baoguo tha se tek aktivitetet e kulturës kineze të këtij instituti përfshihen Dita e Institutit “Konfuci”, Konkursi "Ura e Kinezëve" për studentët e shkollave të larta, Konkursi "Ura Kineze" për nxënësit e shkollave të mesme, Java Kulturore e Festës së Pranverës, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Kineze, Konkursi i Diktimit të Hieroglifeve Kineze, Klubi i Leximit në Gjuhën Kineze, Konkursi i Këndimit dhe Kërcimit Kinez, Ceremonia e Hapjes dhe Ceremonia e Diplomimit etj. Instituti “Konfuci” i kushton vëmendje kremtimit të festave tradicionale kineze dhe krijon një atmosferë të mirë të kulturës kineze. Instituti ka ngritur "Sallonin e Kulturës Kineze" në Tiranë për t'u ofruar shqiptarëve që e duan kulturën kineze një vend dhe mundësi për t’u njohur me kulturën kineze dhe për të mësuar gjuhën kineze nëpërmjet formave të ndryshme të letërsisë dhe artit kinez, si praktikimi i kaligrafisë, këndimi i këngëve kineze, ushtrimi e taiji-së dhe mësimi i prerjes së letrës. Përveç kësaj, Instituti “Konfuci” organizon një kënd të përjavshëm të kinezishtes në Qendrën e Gjuhëve në Tiranë.
Aktiviteti i CIUT-it me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Kineze më 19 prill 2024/ foto nga ambasada e Kinës në Shqipëri
Instituti “Konfuci” u ka paraqitur njerëzve në mbarë botën një Kinë më tërësore dhe më të vërtetë. Ndërkohë, zhvillimi i tij është i pandashëm nga koncepti i lokalizimit dhe i shërbimit ndaj banorëve vendorë.
Në CIUT, krahas katër pedagogëve kinezë, ka dhe tre pedagogë shqiptarë, që kanë studiuar në Kinë e që kanë një forcë të madhe tërheqëse për të rinjtë shqiptarë, duke i shtyrë ata të mësojnë gjuhën kineze, që është mbartëse e qytetërimit mijëravjeçar dhe e mençurisë së kombit kinez. (Wang Lei)