Takimi midis Putinit dhe Trumpit më 28 qershor 2019 në kuadrin e Samitit të G20 në Osaka / foto VCG
Presidenti rus, Vladimir Putin, është i hapur për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, por përjashton bërjen e ndonjë lëshimi të madh territorial dhe këmbëngul që Ukraina të braktisë ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n, citon “ATSH” raportimet e medieve britanike.
Në raportimin e parë të detajuar të asaj që presidenti Putin do të pranonte në çdo marrëveshje të ndërmjetësuar nga Trump, pesë zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët rusë thanë se Kremlini mund të pajtohej gjerësisht për të ngrirë konfliktin përgjatë vijës së frontit.
“Mund të ketë vend për negociata mbi ndarjen e saktë të katër rajoneve lindore të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Khersonit”,- sipas burimeve ruse.
Ndërsa Rusia pretendon se katër rajonet janë tërësisht pjesë e Rusisë, të mbrojtura nga ombrella bërthamore e vendit, forcat e saj në terren kontrollojnë 70-80% të territorit me rreth 26.000 kilometra katrorë ende të kontrolluara nga trupat ukrainase.
“Rusia gjithashtu mund të jetë e hapur për t’u tërhequr nga pjesët relativisht të vogla të territorit që mban në rajonet e Kharkivit dhe Mykolaivit, në veri dhe jug të Ukrainës”,- thanë dy nga zyrtarët.
Putin tha këtë muaj se çdo marrëveshje armëpushimi duhej të pasqyrojë realitetet në terren dhe se ai kishte frikë nga një armëpushim jetëshkurtër që do t’i lejonte Perëndimit të riarmatoste Ukrainën.
“Nëse nuk ka neutralitet, është e vështirë të imagjinohet ekzistenca e ndonjë marrëdhënieje të mirë fqinjësore midis Rusisë dhe Ukrainës. Sepse kjo do të thotë se Ukraina do të përdoret vazhdimisht si një mjet në duart e gabuara dhe në dëm të interesave të Federatës Ruse”, -deklaroi Putin më herët këtë muaj.
Dy nga burimet thanë se vendimi i presidentit në largim të SHBA-së Joe Biden për të lejuar Ukrainën të lëshojë raketa amerikane ATACMS thellë në Rusi, mund të komplikonte dhe vononte çdo zgjidhje.
“Nëse nuk arrihet një armëpushim, atëherë Rusia do të luftojë”,- thanë të dy burimet.
“Putini ka thënë tashmë se ngrirja e konfliktit nuk do të funksionojë në asnjë mënyrë. Dhe autorizimi i raketave është një përshkallëzim shumë i rrezikshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara te Amerikës”,- tha Peskov, para se rusët të raportonin sulmet e “ATACMS”.