Ministria e Bujqësisë: Nuk ka shfaqje të reja të gripit të shpendëve, aktiviteti tregtar i rikthehet normalitetit
2024-11-20 18:02:11

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Që prej datës 30 tetor nuk ka pasur shfaqje të reja të gripit të shpendëve në Shqipëri.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka marrë masat dhe monitoruar 13, 907 ferma për mbarështim shpendësh, të madhësive të ndryshme apo 135, 651 krerë shpendë. Gjatë kontrolleve nuk janë ndeshur dyshime klinike,citon “ATSH”. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka evidentuar probleme gjatë 70 kontrolleve në tregtimin e produkteve ushqimore, me origjinë nga shpendët: vezë dhe mish pule. Kanë mbërritur gjithsej 354 mostra në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, të cilat kanë rezultuar negative. Instituti i Shëndetit Publik nuk ka identifikuar raste të dyshimta apo pozitive me influencë aviare në njerëz.

Si pasojë e zgjidhjes së rastit, Shërbimi Veterinar Rajonal ka nxjerrë  nga karantina vatrën pozitive me influencë aviare.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka raportuar në Organizatën Botërore të Shëndetit të Kafshëve marrjen e masave dhe zgjidhjen e rastit. “Aktiviteti tregtar për shpendët e gjallë, në Bashkitë Tiranë, Vorë dhe Kamzë i rikthehet normalitetit”,-  njoftoi MBZHR.

Pavarësisht zgjidhjes së shpejtë dhe parandalimit efikas të rastit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon shpendërritësit në të gjithë vendin, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë.