Gratë sipërmarrëse, kontribut në zhvillimin e sektorit të biznesit
2024-11-20 17:11:28

Gra sipërmarrëse (Foto ATSH)

Gra sipërmarrëse (Foto ATSH)

40 gra sipërmarrëse u bënë bashkë në panairin e çelur në Tiranë për të prezantuar produktet dhe shërbimet e tyre. Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se gratë me pasionin dhe angazhimin e tyre po kontribuojnë në zhvillimin e sektorit të biznesit.

Sipas ministres Ibrahimaj, ky është një hap i rëndësishëm për të inkurajuar edhe më shumë gra nga e gjithë Shqipëria që të ndjekin shembujt e tyre dhe të angazhohen në krijimin e bizneseve të suksesshme, citon “ATSH”.

“Ne, si qeveri, jemi të angazhuar për të ofruar mbështetje të vazhdueshme dhe për të krijuar mundësi të barabarta për gratë në të gjithë sektorët. Shpresoj që në edicionet e ardhshme të kemi gjithnjë e më shumë gra nga çdo rajon i Shqipërisë, duke pasur mundësi të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të kontribuojnë në një ekonomi të qëndrueshme dhe të barabartë”, - vuri në dukje ajo.

Sipas të dhënave të INSTAT-it për vitin 2023, 31.2 për qind e ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në Shqipëri drejtohen nga gratë.

Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht me 1- 4 të punësuar.