Presidenti rus, Vladimir Putin/Foto nga VCG
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar dekretin për përditësimin e doktrinës bërthamore, për lejimin e përdorimit të armëve bërthamore. Përditësimi i saj vjen si nevojë e shfaqjes së kërcënimeve dhe rreziqeve të reja ushtarake.
Sipas dekretit për miratimin e Bazave të Politikës Shtetërore në Fushën e Parandalimit Bërthamor, Rusia do të shikojë çdo sulm nga një vend jobërthamor i mbështetur nga një fuqi bërthamore, si një sulm të përbashkët, shkruan “RTSH”.
“Parimi themelor i doktrinës është se përdorimi i armëve bërthamore është një masë e fundit për të mbrojtur sovranitetin e vendit. Shfaqja e kërcënimeve dhe rreziqeve të reja ushtarake e shtyu Rusinë të qartësonte kushtet për përdorimin e armëve bërthamore. Në veçanti, doktrina e ndryshuar zgjeron gamën e vendeve dhe aleancave ushtarake që i nënshtrohen parandalimit bërthamor, si dhe listën e kërcënimeve ushtarake që një parandalim i tillë synon t'i kundërshtojë. Përveç kësaj, dokumenti thotë se Rusia tani do ta shikojë çdo sulm nga një vend jobërthamor i mbështetur nga një fuqi bërthamore si një sulm të përbashkët. Rusia gjithashtu rezervon të drejtën të marrë në konsideratë një përgjigje bërthamore ndaj një sulmi me armë konvencionale që kërcënon sovranitetin e saj, një lëshim në shkallë të gjerë të avionëve armik, raketave dhe dronëve që synojnë territorin rus, kalimin e tyre të kufirit rus dhe një sulm ndaj vendit aleat, Bjellorusi”, thuhet në dekret.
Versioni i mëparshëm i doktrinës bërthamore të Rusisë u miratua në qershor 2020, duke zëvendësuar një dokument të ngjashëm që kishte qenë në fuqi për dhjetë vjet.