Uragan - foto sciencecue
Studiuesit deklarojnë se rreth 75% e sipërfaqes tokësore të botës ka parë një rritje të ndryshueshmërisë të luhatjeve midis motit të lagësht dhe të thatë.
Studimi termodinamik dhe simulimi numerik i intensitetit të një cikloni tropikal tregojnë se intensiteti i tij do të rritet me rritjen e temperaturave globale. Kështu shkencëtarët pohojnë lidhjen e ngushtë që ekziston midis uraganeve tropikale dhe ngrohjes globale. Debati midis komunitetit shkencor mbi këtë lidhje ka vazhduar për disa kohë. Studime kanë identifikuar mundësinë që uraganet të bëhen gjithnjë e më të fuqishëm me rritjen e temperaturave mesatare globale.
Shkaterrimet qe shkaktohen nga ndryshimet klimaterike - foto sciencecue
Çfarë janë uraganet?
Një ciklon tropikal njihet zakonisht si një uragan ose tajfun dhe është një fenomen shkatërrues atmosferik që e ka origjinën në oqeane në prani të kushteve të përshtatshme. Uraganët ndryshojnë nga tajfunet për nga origjina e tyre: në Atlantikun e Veriut dhe në Paqësorin qendror-verior dhe verilindor përdoret termi uragan, ndërsa në Paqësorin veri-perëndimor përdoret termi tajfun. Kur flasim për një ciklon i referohemi Oqeanit Indian ose Paqësorit Jugor. Këto dukuri formohen në zonat mbi oqeane ku ekzistojnë kushte me presion të ulët (ose ciklonike) dhe ku temperatura e ujit kalon 26°C, një gjendje e zakonshme në ujërat tropikale. Flasim për uragane kur erërat arrijnë shpejtësinë 118 km/h.
Ku dhe kur formohet një ciklon tropikal?
Për të krijuar një stuhi tropikale, nevojiten njëkohësisht kushte me presion të ulët, ujë të ngrohtë dhe ajër të lagësht. Për këtë arsye, uraganet mund të formohen vetëm në zonat tropikale, ku masat ujore janë shumë të mëdha dhe garantojnë lëvizje të papenguar. Fenomenet më domethënëse ndodhin në Gjirin e Meksikës dhe në Detin e Karaibeve, në Oqeanin Atlantik. Kur diferenca e temperaturës ndërmjet ajrit në lartësi të madhe dhe nivelit të oqeanit është mjaft e madhe dhe era në lartësi të ulët nuk është intensive, krijohet ajo që quhet stuhi tropikale. Nëse procesi vazhdon me kalimin e kohës, ai çon në një uragan. Për këtë arsye, uraganet kanë më shumë gjasa të formohen midis qershorit dhe nëntorit. Sipas ekspertëve, ka të ngjarë që me ngrohjen globale, uraganet do të bëhen më intensive, me erëra të forta që prodhojnë një ndikim gjithnjë e më shkatërrues në tokë.
Uragani ne veprim - foto sciencecue
Roli i ngrohjes globale
Sipas GFDL, duke supozuar një rritje prej 2°C në temperaturat globale, probabiliteti i formimit të uraganeve në të ardhmen do të rritet midis 1% dhe 10%. Do të ketë më shumë uragane dhe tajfunë të kategorisë 4 dhe 5 deri në fund të këtij shekulli, me erëra të forta dhe reshje shiu që do të jenë 10-15% më të mëdha. Përmbytjet bregdetare do të kenë një ndikim edhe më shkatërrues për shkak të rritjes së nivelit të detit. Në fakt, ndër pasojat e ngrohjes globale është rritja e nivelit të oqeanit. Kjo ka një ndikim të rëndësishëm në rastin e reshjeve intensive si ato të shkaktuara nga uraganet që prodhojnë përmbytje bregdetare. Me nivele më të larta të detit, përmbytjet e territorit do të prekin sipërfaqe më të mëdha, duke rritur dëmin ekonomik dhe rrezikun për popullsinë. Sipas llogaritjeve, për çdo shkallë të rritjes së temperaturës mesatare të Tokës, erërat bëhen më intensive me rreth 8 km/h. Duke konfirmuar kontributin e ngrohjes globale, të dhënat tregojnë se ciklonet tropikale me erëra të forta kanë qenë veçanërisht intensive vitet e fundit.
Përgatiti: N. Kraja