Donald Trump përgatit planin e emergjencës kombëtare për emigrantët
2024-11-20 17:29:31

foto VCG

foto VCG

Presidenti i zgjedhur në SHBA, Donald Trump, deklaroi në rrjetet sociale se po përgatitet të shpallë emergjencën kombëtare si pjesë e planit të tij për të dëbuar emigrantët, shkruan “RTSH”.

Në mandatin e tij të parë, Trump shpalli emergjencën kombëtare në kufirin me Meksikën për të anashkaluar Kongresin dhe për të përdorur fondet e Pentagonit për ndërtimin e murit, një lëvizje që u përball me padi të shumta.

Planet gjithëpërfshirëse të emigracionit të administratës së ardhshme amerikane përfshijnë zbatimin e masave të rrepta kufitare, goditjen e politikave të epokës Biden dhe fillimin e ndalimit dhe dëbimit të emigrantëve në shkallë të gjerë.

Njerëz të afërt me presidentin e zgjedhur dhe ndihmësit e tij po hedhin bazat për zgjerimin e ambienteve të paraburgimit për të përmbushur premtimin e fushatës së tij të dëbimit masiv, duke përfshirë rishikimin e zonave metropolitane.

Gjithashtu, ata po përgatisin veprime ekzekutive si ato të mandatit të parë në detyrë dhe mund të zbatohen sapo Trump të marrë detyrën.