Ministri i Brendshëm: Grupet kriminale, kërcënim për qytetarët në Shkodër
2024-11-20 14:26:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha shprehet i shqetësuar për situatën kriminale në vend, veçanërisht në Shkodër. Sipas tij, sfidë janë ende grupet kriminale, që kërcënojnë sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve në Shkodër. Teksa prezantoi drejtorin e ri të policisë që qarkut, Fatmir Lleshaj, ministri ka kërkuar rritjen e forcës goditëse ndaj paligjshmërisë në tërësi, krimit të organizuar në veçanti dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale, me fokus të veçantë te parandalimi i këtyre ngjarjeve, duke vlerësuar me prioritet çdo informacion apo të dhënë që vjen nga inteligjenca apo qytetarët, citon “Panorama”.

“Sfida është e qartë: Grupet kriminale vazhdojnë të jenë një kërcënim për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve të Shkodrës. Ngjarjet e fundit kanë treguar se është urgjente nevoja për të forcuar operacionet dhe për të krijuar një mjedis ku krimi nuk gjen hapësirë për të vepruar”,- u shpreh ministri. Po ashtu, ministri Hoxha prezantoi edhe drejtorin e ri të qarkut Lezhë, Altin Mena.