Autostrada Tiranë-Durrës (Foto Kapitali.al)
Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2025 ka ardhur në rritje. Për vitin 2025 projektligji o ri i akordon këtij dikasteri në programin e transportit rrugor një buxhet total në vlerën 33.48 miliardë lekë me një rritje prej 4.1 miliardë lekësh, ose 14% krahasuar me buxhetin, me ligjin e buxhetit të vitit të kaluar.
“Ky buxhet ndahet në shpenzime korrente në vlerën 3.66 miliardë lekë dhe në shpenzime kapitale 29.82 miliardë lekë. Shpenzimet kapitale në financimin e brendshëm kemi 26.23 miliardë lekë ose 88% e këtij financimi, ndërkohë që në të huajin kemi alokuar 3.59 miliardë lekë ose 12% e financimit. Për vitin 2026 programi i transportit mbulohet nga një buxhet në vlerën 35.69 miliardë lekë nga të cilat shpenzime korrente janë 4.16 miliardë lekë, shpenzime kapitale 31.52 miliardë lekë të cilat ndahen në 27.82 miliardë lekë ose 88.3% e shpenzimeve kapitale të alokuara në financimin e brendshëm, ndërkohë që në financimin e huaj kemi alokuar 3.69 miliardë lek ose 11.7 %. Në vitin 2027 projektligji i akordon programit të transportit rrugor një buxhet prej 37 miliardë lekësh me shpenzime korrente 4.37 miliardë, ndërkohë që shpenzimet kapitale shkojnë në vlerën 32.67 miliardë, të cilat ndahen në 27.57 miliardë në financim të brendshëm dhe 5 miliardë lekë në financim të huaj.”- u shpreh ministrja Balluku.
Ministrja e infrastrukturës, Belinda Balluku në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese dha detajet e disa projekteve që do të financohen. Si një vazhdimësi e strategjisë për infrastrukturën i gjithë parashikimi i buxhetit afatmesëm 2026 dhe 2027, sipas Ballukut është bazuar mbi projekte strategjike, të cilat do të garantojnë, jo vetëm suportin e rritjes ekonomike të qëndrueshme të vendit, por nga ana tjetër dhe një nxitje të rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
“Projektbuxheti për vitin 2025 i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë një buxhet total në vlerën 74 miliardë lekë, nga të cilat shpenzimet korrente janë në vlerën 6.7 miliardë lekë dhe shpenzimet kapitale në vlerën 67.38 miliardë lekë. Shpenzimet kapitale përbëhen nga financimi i brendshëm në vlerën 53.56 miliardë lekë ose 79.5 % të totalit. Ndërkohë që financimi i huaj është në vlerën 13.82 ose 20.5 % e këtij totali. Në projektligjin për buxhetin 2025 kemi rritje të tavaneve buxhetore në vlerën 9.64 miliardë lekë ose 13%, krahasuar me tavanet buxhetore të ligjit për buxhetin 2024, sigurisht kur ai është ndryshuar.”
Jepen detaje edhe për mënyrën se si do të shpërndahen në vitet në vijim.
Ministrja Belinda Balluku (Foto Ministria e Infrastruktures)
“Kjo rritje e tavaneve buxhetore konsiston në rritje të tavanit për shpenzime korrente me 354.27 milionë lekë dhe ndërkohë në rritje tavanit për shpenzimet kapitale me financimin e brendshëm 9.3 miliardë lekë. Ndërkohë që kemi edhe një ulje të tavanit për shpenzimet kapitale me financim të huaj 26 milionë lekë. Për vitin 2026 projektligji i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë një buxhet total në vlerën 77.3 miliard lekë, nga të cilat shpenzime korrente në vlerën 7 miliard lekë; shpenzime kapitale në vlerën 70.23 miliard lekë. Shpenzimet kapitale përbëhen nga financimi i brendshëm në vlerën 56.18 miliard lekë ose 80% e shpenzimeve kapitale dhe financim i huaj në vlerën 14.04 miliard lekë ose 20% të shpenzimeve kapitale”, u shpreh ministrja Balluku
Ndërkohë që për vitin 2027 projektligji i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë një buxhet total prej 73.26 miliard lekë, nga të cilat shpenzime korrente në vlerën 7.29 miliard lekë; shpenzime kapitale në vlerën 65.97 miliard lekë nga të cilat financim i brendshëm në vlerën 47.74 miliard lekë ose 72.4% të shpenzimeve kapitale, ndërkohë që financim i huaj akordohet në vlerën 18.23 miliard lekë ose 27.6% të shpenzimeve totale kapitale.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të përmbushur detyrimet në fushat e saj të përgjegjësisë administron në total 11 programe, duke nisur nga transporti rrugor, si programi më i rëndësishëm, pastaj transporti detar, hekurudhor, ajror, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i kanalizimeve; mbështetje për energjinë; mbështetje për burimet natyrore; mbështetje për industrinë; planifikimi urban; mbështetje për rrjetet e komunikimit dhe sigurisht planifikim, menaxhim dhe administrim.”- tha Balluku.
Ministrja Balluku dha edhe detaje të transportit rrugor.
“Synimi ynë është zhvillimi i mëtejshëm i këtij sektori. Po të kalojmë në detaje sigurisht Korridori VIII dhe Korridori blu, mbajnë pjesën e luanit dhe pjesën më të rëndësishme për sa i përket këtij programi. Kështu që, nga ana tjetër, ne kërkojmë që të përmirësojmë qëndrueshmërinë, ndërlidhjen, ndërveprimin midis rajoneve, por, nga ana tjetër, edhe ndërlidhjes ndërkufitare, që është një nga kërkesat kryesore të WBIF dhe të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, tashmë një praktikë që në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë ka më shumë se pesë vite që aplikohet, që të gjitha projektet janë të financuara”
Infrastruktura e turizmit gjithashtu është në fokus të veçantë.
“Në rast se ju do t’u referoheni projekteve të cilat kanë nisur pas vitit 2019, ne nuk kemi projekte të pafinancuara apo projekte, të cilat kalojnë afatet kontraktuale. Është krijuar një traditë e mirë që kërkohet që të gjitha këto projekte të dorëzohen edhe para afatit, por financimi i tyre është shumë i rëndësishëm për të mos krijuar vonesa, duke pasur parasysh se këto projekte edhe ndërlidhen me njëri-tjetrin. Infrastruktura rrugore padyshim, për shkak të zhvillimit të disa sektorëve të rëndësishëm, siç është ai i turizmit apo i bujqësisë është një nga prioritetet kryesore të qeverisë dhe kjo reflektohet edhe në buxhetin afatmesëm, 2025-2027.”
Punimet në Korridorin VIII (Foto Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë)
Balluku tha se përsa i përket shpenzimeve kapitale të financimit të brendshëm ky buxhet siguron që të financohen projektet koncesionare dhe ato PPP në vlerën 5.38 miliardë lekë, si dhe ndërtim dhe sistemim rrugësh në vlerën 18.53 miliardë lekë.