Foto nga VCG
Autoritetet e Pekinit dhe Shangait njoftuan të hënën masa të reja që do të ulin kostot e transaksioneve në tregun e banesave me rregullime tatimore duke filluar nga 1 dhjetori.
Ndryshimet e reja të politikave, që synojnë nxitjen e kërkesës dhe stabilizimin e tregut të pronave, do të eliminojnë dallimin midis banesave "të zakonshme" dhe "jo të zakonshme" në përpjekje për të ulur barrën tatimore gjatë transaksioneve të shtëpive më të mëdha.
Në Pekin dhe Shangai, shtëpitë "jo të zakonshme" përkufizohen si prona me sipërfaqe ndërtimi që i tejkalojnë 144 metrat katrorë, së bashku me kërkesa të tjera.
"Reduktimi i kostove të shitjes për pronarët e shtëpive pritet të nxisë aktivitetin e listimit dhe shitjes, gjë që do të rrisë disponueshmërinë e pronave të përdorura me cilësi të lartë. Kjo, nga ana tjetër, do t'u sigurojë blerësve të shtëpive më shumë mundësi dhe do të ketë një ndikim pozitiv në treg”, tha zëvendësdrejtori i Institutit të Kërkimit dhe Zhvillimit të Kinës “E-House” Yan Yuejin.
Në sfondin e një amullie në tregun e pronave, Kina ka shpallur një sërë masash në fusha si taksat e financat, ndër të tjera, për të stimuluar kërkesën. Më 13 nëntor, autoritetet kineze njoftuan planet për të rritur stimujt për sa i përket taksës mbi titullin e pronës, tatimit mbi vlerësimin e tokës dhe tatimit mbi vlerën e shtuar për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të sektorit të pasurive të paluajtshme. (Çang Çuo)