Projektligji i buxhetit të vitit 2025, që qeveria ka kaluar në Parlament dhe po diskutohet ne komisionet parlamentare, synon rritjen ekonomike permes investimeve publike, kryesisht ne infrastrukture.
Foto nga uebsajti i Kuvendit të Shqipërisë
Shpenzimet buxhetore për këtë vit do të financojnë me përparësi projektet e Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike dhe sociale të vendit tonë me vendet e BE-së. Investimet Publike për vitin 2025 janë planifikuar në masën 1.6 miliardë euro, niveli i dytë më i lartë në raport me GDP-në(prodhimin kombëtar), pas vitit 2007, kohë kur ndërtohej Rruga e Kombit. Projektbuxheti parashikon 4.5 miliardë lekë financime të Buxhetit të Shtetit ose 47 milionë euro për projektet nga Plani i Rritjes i BE-së. Investimet publike për vitin e ardhshëm janë 110 milionë euro më shumë se ky vit. Shumica e fondit të investimeve publike i kalon veprave infrastrukturore në ndërtim e sipër, ose veprave të reja infrastrukturore.
Për vitin e ardhshëm, Ministria e Infrasktrukturës dhe Energjisë do të ketë një buxhet prej 74 miliardë lekësh, ose 743 milionë euro. Në këtë fond, 33.4 miliardë lekë ose 335 milionë euro janë parashikuar për projektet e transportit rrugor. Janë një sërë aksesh të rëndësishme që do mbështeten me këto para dhe që do të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm.
Tuneli i Llogarasë do të përfundojë me të gjitha detajet e parashikuara në projekt dhe rrugët ndërlidhëse. Përpara sezonit turistik të vitit të ardhshëm, Tuneli i Llogarasë do të rihapet dhe përdoruesit e këtij aksi do të paguajnë tarifën e paralajmëruar 5 euro, e cila, për tunele të ngjashme përbën tarifë e niveleve minimale në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në funksion të infrastrukturës për investimet strategjike të portit të ri tregtar të vendit në Porto Romano dhe të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, do të ndërtohen rruga Porto Romano – Durrës, si dhe rruga lidhëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier – Vlorë.
Në funksion të ndihmës ndaj turizmit, do të zgjerohet rruga Sarandë-Ksamil, duke qenë Ksamili një ndër destinacionet më të preferuara dhe më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj në vitet e fundit.
Po në funksion të infrastrukturës ajrore civile të vendit, do të bëhet lidhja e autostradës Milot- Morinë me Aeroportin e Kukësit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku/Foto nga uebsajti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë
Ndërkohë, gjatë vitit 2025 do të vijojë zbatimi i projekteve koncesionare përparësore si “Rruga e Arbrit”, “Rruga Orikum-Dukat, me degëzim tek by pass-i i Portit të Jahteve në Orikum, si dhe Rruga “Milot-Morinë”.
Ndër veprat infrastrukturore në sektorin hekurudhor, do të vijojë rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali i Pasagjerëve Tiranë, elektrifikimi i saj, si dhe ndërtimi i linjës së re elektrike hekurudhore Tiranë – Rinas.
Më 5 nëntor 2024, në prezantimin e buxhetit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi se ““Në Korridorin e VIII-të vazhdojnë proceset e të gjitha kantiereve të hapura.Ne vazhdojmë me ndërtimin e pjesës së re të këtij Korridori. Pra, nga By Pass-i i Elbasanit në drejtim të Lekajt, në drejtim të Rrogozhinës.
Kjo, duke qenë se aty kemi një ndërtim totalisht të ri. Pra, do të ruhet rruga ekzistuese si një rrugë alternative, ndërkohë që nga By Pass-i i Elbasanit deri në Rrethrrotullimin e Rrogozhinës, aty ku ky Korridor do të lidhet me Korridorin Blu, i gjithë ndërtimi është i ri dhe do t’i përgjigjet parametrave të rrugëve të kategorive “A” të Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, keni nisur një proces shumë të rëndësishëm, që është zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës. Kemi dy faza për këtë ndërhyrje. Në fazën e parë, e cila sot është e dukshme, kemi hapjen e dy korsive të seicilit krah të rrugës. Kjo, ngaqë do të kemi shtesë dy korsi, një për trafikun dhe një korsi të emergjencës.
Në total do të kemi katër korsi të reja, të cilat shtrihen në autostradën Tiranë-Durrës, të ndarë për momentin në këtë buxhet, në fazën 1 dhe 2.
Ndërkohë, vijon puna për zgjerimin e Rrugës së Ksamilit.
Një tjetër projekt shumë i rëndësishëm ështe ai i rikonstruksionit të Kthesës së Bërdicës dhe Urës së famshme të Bahçallëkut, që krijon një hyrje totalisht tjetër, dinjitoze për Shkodrën.
Është e qartë tani se Shkodra është kthyer tashmë në një nga njësitë më të rëndësishme turistike dhe kulturore të vendit, por edhe nga fakti që Shkodra po përgatitet për të qenë një qendër e rëndësishme e ndërlidhjes kufitare.
Një nga hekurudhat kombëtare, e cila pritet të realizohet vitet e ardhshme, pra ajo që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, do të ketë bazën e nisjes nga Shkodra. Ky projekt do të ofrojë një sërë pëfitimesh për qytetin dhe për infrastrukturën në tërësi.
Donatori i vetëm është Bashkimi Evropian, të cilin gjej rastin që ta falënderoj edhe njëherë, për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë infrastrukturës dhe energjisë, si dy portofolet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi sigurisht ne kemi edhe portofole të tjera të investimit, sikurse është ai i digjitalizimit dhe i kontrollit të territorit.
Unaza e Madhe e Tiranës në ndërtim e sipër, tetor 2024/Foto nga uebsajti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë
Veçanërisht tek energjia dhe infrastruktura, Bashkimi Evropian po luan një rol të rëndësishëm, jo vetëm për donacionet për ndërtimet e rëndësishme, duke nisur nga linjat e transmetimit të energjisë, apo edhe Korridoret rrugore që sapo përmendëm, por edhe me asistencën teknike, që e konsideroj si një ndër elementët kyç të punës, duke qene se sot të gjitha këto projekte investimi bazohen në asistenca teknike të mirëstudjuara”.
Investimet themelore të qeverisë ndjekin punën e bërë deri tani me projektet në dy akset kryesore strategjike të rrugëve për Shqipërinë, që janë Korridori Blu Adriatiko-Jonian, pjesa e Shqipërisë dhe Korridori i VIII-të, pjesa e Shqipërisë.
Këto investime po ashtu reflektojnë dhe ndërhyrjen në portat kryesore hyrëse të reja ajrore dhe detare të vendit, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës dhe Porti detar i Porto Romanos.
Qeveria shpreson që me përparësinë e dhënë prej saj në investimet themelore të vendit në infrastrukturë, do të arrihet të realizohet një ndër treguesit kryesorë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2025, që është rritja ekonomike prej 3.9 përqind.
Garatimi i këtij niveli të rritjes ekonomike do të ndihmojë edhe projektet sociale të buxhetit dhe politikat e qeverisë për rritjen graduale të pensioneve gjatë periudhës 2025-2027, pas rritjes së fortë të pagave në sektorin shtetëror gjatë viteve 2023-2024.
Fatos Çoçoli