Samiti 19 i G20 po mbahet në Rio de Zhaneiro, Brazil, në datat 18-19 nëntor. Tema e këtij viti është "Ndërtimi i një bote të drejtë dhe i një planeti të qëndrueshëm".
Si forumi kryesor për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, Samiti G20 bashkon ekonomitë kryesore të zhvilluara dhe ato të tregut të ri në zhvillim, të cilat përbëjnë rreth 85% të prodhimit të përgjithshëm ekonomik global dhe 2/3 e popullsisë. 16 vjet më parë, përpara krizës financiare ndërkombëtare, Samiti G20 rriti në mënyrë efektive bashkëpunimin ndërkombëtar dhe parandaloi rënien e ekonomisë botërore në "Recesion të madh”.
Liderë pjesëmarrës në Samitin e G20-të dalin në fotografi, Rio de Zhanejro 18 nëntor 2024/Xinhua
Vitet e fundit, G20 është transformuar gradualisht nga një mekanizëm reagimi ndaj krizave, në një strukturë që trajton qeverisjen afatgjatë, duke u bërë një platformë e rëndësishme për të promovuar rritjen e fortë, të qëndrueshme, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë globale.
Aktualisht, rimëkëmbja ekonomike botërore është e ngadaltë, me kriza të shumta si ato ushqimore dhe energjetike. Unilateralizmi dhe proteksionizmi janë në rritje dhe deficiti i zhvillimit po rritet ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, “Jugu Global” po rritet në mënyrë kolektive, por zërat dhe kërkesat e tij nuk pasqyrohen siç duhet në sistemin aktual të qeverisjes ndërkombëtare.
Në këtë sfond, komuniteti ndërkombëtar shpreson të dëgjojë zëra, të cilat zgjidhin vërtet problemet. Gjithashtu shpreson që anëtarët e G20 të tregojnë përgjegjësitë e tyre, të promovojnë zhvillimin global dhe të përmirësojnë qeverisjen globale në frymën e partneritetit.
Zhvillimi është një proces me rëndësi kyçe për çdo vend. Në kuadër të bashkëpunimit me G20, Kina i është përkushtuar gjithmonë çështjes së zhvillimit.
Në Samitin G20 të zhvilluar në Hangzhou në vitin 2016, Kina inicioi dhe realizoi vendosjen e zhvillimit në një pozicion parësor, në agjendën e bashkëpunimit të këtij mekanizmi. Në Samitin e vitit 2022 të mbajtur në Bali të Indonezisë, Kina theksoi nevojën për të promovuar një zhvillim global më gjithëpërfshirës, më elastik dhe më të dobishëm për të gjithë. Kina gjithashtu ka propozuar dhe zbatuar në mënyrë aktive Nismën “Një brez, një rrugë” dhe Nismën e Zhvillimit Global, duke mirëpritur anëtarët e G20-tës të marrin pjesë aktive në bashkëpunim, për të çuar përpara agjendën e zhvillimit global. Në grupin e punës "Lufta kundër urisë dhe varfërisë" të propozuar nga Brazili në samitin e këtij viti, Kina ka ndarë me pjesëmarrësit e tjerë shumë politika dhe risi teknologjike për uljen e varfërisë, si një ndër vendet anëtare më kontribuues.
Vlen të përmendet edhe vëmendja që Kina i ka kushtuar gjithmonë zhvillimit inovativ, veçanërisht ekonomisë digjitale dhe zhvillimit të gjelbër.
Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në Samitin e G20-të, Rio de Zhanejro, Brazil,18 nëntor 2024/Xinhua
Një ndër propozimet kryesore bashkëpunuese të Kinës në këtë samit, është shfrytëzimi i mundësive të ekonomisë digjitale me nxitje të ndërlidhshmërisë digjitale dhe ndërtimi i një mjedisi të hapur, gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues për ekonominë digjitale. Përveç kësaj, Kina bën thirrje për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e gjelbër dhe me lëshim të ulët të karbonit, mbrojtjen e mjedisit, transformimin e energjisë, përballjen e ndryshimeve klimatike dhe fusha të tjera. Një agjendë e rëndësishme e Samitit të G20 në Rio është diskutimi i zhvillimit global të gjelbër dhe me lëshim të ulët të karbonit. Kjo e bën botën të ketë pritshmëri ndaj Kinës, për nxitje më të madhe në zhvillimin e qëndrueshëm global.
Qeverisja globale është një tjetër fjalë kyçe për të kuptuar rolin e Kinës.
Brenda kornizës së G20-të, Kina ka mbrojtur gjithmonë praktikën e multilateralizmit të vërtetë. Ajo i është përmbajtur konceptit të qeverisjes globale me konsultime, kontribute dhe përfitime të përbashkëta. Gjithashtu në Samitin e G20-të në Hangzhou të vitit 2016, Kina shtjelloi për herë të parë konceptin e qeverisjes ekonomike globale, me barazinë si bazë, hapjen si drejtim, bashkëpunimin si forcë dhe ndarjen e përbashkët të rezultateve si qëllim.
Kina është e para që shprehu mbështetjen e saj ndaj Bashkimit Afrikan për t'u bashkuar me G20-ën. Ajo promovon në mënyrë aktive reformën e arkitekturës financiare ndërkombëtare, për të rritur më tej përfaqësimin dhe zërin e ekonomive në zhvillim dhe vendeve në zhvillim. Kina ka përkrahur me vendosmëri tregtinë e lirë dhe ka kundërshtuar proteksionizmin.
Kina gjithmonë po nxit qeverisjen ekonomike globale, të shkojë drejt një rendi më të drejtë dhe të arsyeshëm, për të ngritur zërin e Jugut Global. Kjo është pikërisht ajo që Kina mbron: ndërtimin e një botë më e drejtë. Për këtë duhet mbështetja e anëtarëve të G20 për të përkrahur "Jugun Global" sipas parimit të respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit të barabartë dhe përfitimeve reciproke.
Porti Qingdao, provincë Shandong, Kinë Lindore/VCG
Gjatë Sesionit të Tretë Plenar të Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës që u zhvillua para disa muajsh, u hartua një plan për thellimin e mëtejshëm të reformave dhe promovimin e modernizimit kinez. Në të, jo vetëm theksohet zgjerimi i rregullt i hapjes drejt botës së jashtme të tregut të mallrave, shërbimeve, kapitalit, punës, etj., por nënvizohet edhe qëndrimi për të mbrojtur sistemin tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në qendër, si edhe për të marrë pjesë aktive në reforma e qeverisjes ekonomike globale.
Siç mësohet, gjatë zhvillimit të Samitit të G20-tës në Brazil, Kina do të punojë me të gjitha palët për të kërkuar zhvillim të përbashkët, për të nxitur një multipolarizim të barabartë dhe të rregullt të botës dhe një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës. Bota me siguri do të shohë se Kina do të sjellë më shumë mençuri dhe forcë në qeverisjen globale dhe në zhvillimin e përbashkët të të gjitha vendeve.