Xi Jinping-u takohet me presidentin bolivian
2024-11-19 23:56:02

Paraditen e së martës sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping u takua me homologun e vet bolivian Luis Arce gjatë Samitit të Liderëve të G20-s në Rio-de-Zhanejro.

 

Xi Jinping-u theksoi që Kina dhe Bolivia janë vende miq e vëllezër të mirë. Në vitet e fundit, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë ruajtur një hov të mirë zhvillimi, duke u sjellë përfitime të prekshme të dy popujve. Kina mbështet Bolivinë në eksplorimin e një rruge të pavarur zhvillimi që u përshtatet kushteve të saj kombëtare dhe është e gatshme ta përdorë 40-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve vitin e ardhshëm si një mundësi për të çuar përpara miqësinë tradicionale me Bolivinë, për të thelluar besimin e ndërsjellë strategjik, për të zgjeruar bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë dhe për ta ngritur partneritetin strategjik Kinë-Bolivi në një nivel të ri.

 

Kreu i shtetit kinez u shpreh më tej se të dyja palët duhet të forcojnë shkëmbimet ndërmjet qeverive, organeve legjislative, partive politike dhe organeve të pushtetit vendor, të kryejnë shkëmbime të thelluara të përvojës në qeverisjen e shtetit dhe të përafrojnë ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" me Planin e Bolivisë 2025. Të dy vendet duhet të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e zhvillimit dhe ndërtimit të infrastrukturës, bujqësisë në rrafshnaltë dhe zhvillimit të gjelbër, ekonominë dixhitale dhe fusha të tjera, të thellojnë bashkëpunimin në mekanizmat shumëpalësh si Kombet e Bashkuara dhe BRICS, dhe të promovojnë unitetin, vetëbesimin dhe zhvillimin e përbashkët të vendeve të Jugut Global. Kina mbështet integrimin e Amerikës Latine dhe është e gatshme të punojë me Bolivinë për të forcuar ndërtimin e mekanizmit të Forumit Kinë-Amerika Latine.

 

Arce tha nga ana e tij se Bolivia dhe Kina kanë një miqësi të thellë vëllazërore dhe e falënderoi Kinën për ndihmën ndaj Bolivisë për të mposhtur epideminë e COVID-19 dhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror. Nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, modernizimi i stilit kinez ka pasur arritje të mëdha, duke shërbyer si referencë dhe udhëzues i rëndësishëm për zhvillimin e Bolivisë dhe të vendeve të tjera. Ai e uroi presidentin Xi Jinping për përurimin e kohëve të fundit të portit të Çankait në Peru. Bolivia është e gatshme të festojë 40-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën vitin e ardhshëm, të thellojë më tej partneritetin strategjik, të forcojë bashkëpunimin në ndërlidhjen e infrastrukturës dhe fusha të tjera, që do të ndihmojnë në zhvillimin kombëtar të Bolivisë dhe do të përmirësojnë mirëqenien e njerëzve. Bolivia është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në mekanizmat shumëpalësh si BRICS dhe Forumi Kinë-Amerika Latine.

 

Cai Qi, Wang Yi dhe të tjerë morën pjesë në takim.