Fjalimi i plotë i Xi Jinping-ut në mbledhjen e fazës së parë të Samitit të 19-të të G20-s
2024-11-19 03:42:46

"Të ndërtojmë një botë të drejtë me zhvillim të përbashkët"

Fjalimi i presidentit kinez XI Jinping mbi temën "Lufta kundër urisë dhe varfërisë" në mbledhjen e fazës së parë të Samitit të 19-të të G20-s

I nderuar president Lula, 

Të nderuar kolegë,

Është një kënaqësi e madhe për mua që kam ardhur në Rio-de-Zhanejro për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G20-s. Faleminderit Presidentit Lula dhe qeverisë braziliane për pritjen e ngrohtë të delegacionit kinez.

Ndryshimet shekullore në botën e sotme po përshpejtohen, Zhvillimi njerëzor përballet me raste e sfida të paprovuara më parë. Si liderë të vendeve të mëdha të botës, ne nuk duhet të kemi frikë nga retë që errësojnë vizionin tonë, por duhet të mbështesim ndjenjën e një bashkie me të ardhme të përbashkët, të mbajmë përgjegjësitë historike, të tregojmë shpirt iniciative historike dhe të promovojmë përparimin historik.

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Kam sugjeruar një herë në samitet e liderëve të G20-s se begatia dhe qëndrueshmëria botërore nuk mund të krijohen duke i bërë të varfrit më të varfër dhe të pasurit më të pasur. Vendet duhet të promovojnë një zhvillim global më përfshirës, më të dobishëm dhe më elastik për të gjithë. Kur Kina organizoi Samitin e Liderëve të G20-s në Hangzhou, çështjet e zhvillimit u vendosën për herë të parë në qendër të koordinimit të politikave makroekonomike, u publikuan "Plani i Veprimit i G20-s për Zbatimin e Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030" dhe "Nisma e G20-s për mbështetjen e industrializimit në Afrikë dhe në vendet më të pazhvilluara". Në këtë samit në Rio-de-Zhanejro, "ndërtimi i një bote të drejtë dhe një planeti të qëndrueshëm" është përzgjedhur si tema kryesore, "zhdukja e urisë dhe varfërisë" është përparësia kryesore, dhe është vendosur që të formohet Aleanca Globale kundër Urisë dhe Varfërisë. Nga Hangzhou deri në Rio-de-Zhanejro po përpiqemi për një objektiv, që është ndërtimi i një botë të drejtë me zhvillim të përbashkët.

Për të ndërtuar një botë të tillë, ne duhet të rrisim investimet në tregti, të forcojmë institucionet e zhvillimit, të shtojmë urat e bashkëpunimit dhe të pakësojmë "oborret e vogla dhe muret e larta", duke lejuar më shumë vende në zhvillim të kenë një jetë të mirë dhe të realizojnë modernizimin.

Për të ndërtuar një botë të tillë, ne duhet të mbështesim vendet në zhvillim që të ndjekin mënyra prodhimi e jetese të qëndrueshme, t'u përgjigjemi siç duhet sfidave si ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe ndotja e mjedisit etj., të ndërtojmë qytetërimin ekologjik dhe të arrijmë bashkëjetesën harmonike ndërmjet njeriut e natyrës.

Për të ndërtuar një botë të tillë, ne duhet t'i përmbahemi multilateralizmit dhe të ruajmë sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb, rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të bazuara në parimet e Kartës së OKB-së.

Të dashur kolegë!

Zhvillimi i Kinës është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të përbashkët global. Kina ka nxjerrë nga varfëria të 800 milionë njerëzit e varfër të saj dhe ka arritur përpara afatit objektivin e pakësimit të varfërisë të Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së 2030.

Këto arritje nuk kanë rënë nga qielli, por janë rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe i punës së palodhur të qeverisë kineze e të popullit kinez. Kina i është përmbajtur gjithmonë vendosjes së njeriut në qendër dhe ka premtuar solemnisht se "asnjë zonë e varfër ose asnjë person i varfër nuk do të lihet pas". Ne kemi këmbëngulur në zbutjen e varfërisë me saktësi dhe kemi zbatuar politika të posaçme sipas fshatrave, familjeve dhe individëve. Ne duhet t'i përmbahemi zbutjes së varfërisë nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe të drejtojmë në mënyrë aktive talentet, kapitalin dhe teknologjinë që të shkojnë në zonat e varfra. Ne vazhdojmë zbutjen e varfërisë nëpërmjet promovimit të zhvillimit të industrive karakteristike vendore, ndihmojmë zonat e varfra të përmirësojnë infrastrukturën dhe zhvillojmë industri me funksione "hematopoietike" sipas kushteve vendore. Ne këmbëngulim në zbutjen e varfërisë nëpërmjet begatisë së përbashkëta dhe promovojmë "binjakëzimin" e ndihmën reciproke midis rajoneve të zhvilluara dhe rajoneve të pazhvilluara.

Kam punuar në fshatra, konte, qytete, provinca dhe në qeverinë qendrore në Kinë dhe zbutja e varfërisë është një pjesë e rëndësishme e punës sime dhe një çështje madhore që jam i vendosur ta realizoj.

Procesi i zbutjes së varfërisë në Kinë tregon se problemi i varfërisë në vendet në zhvillim mund të zgjidhet me frymën e qëndresës, këmbënguljes e përpjekjeve. Zogjtë e dobët mund të fluturojnë së pari dhe të fluturojnë lart. Kina mund të ketë sukses, dhe vendet e tjera në zhvillim gjithashtu mund të kenë sukses. Kjo është rëndësia botërore e fitores së Kinës në betejën kundër varfërisë.

Të nderuar kolegë!

Kina është gjithmonë një vend anëtar i Jugut Global, është një partnere afatgjatë e besueshme për vendet në zhvillim, dhe është gjithashtu një veprimtare që mbështet zhvillimin global. Kina nuk kërkon të jetë e vetmja, por dëshiron që “njëqind lule të lulëzojnë së bashku”, që të bashkojmë duart me vendet në zhvillim për të arritur modernizimin. Këtu unë do të doja të njoftoja tetë veprimet e Kinës për të mbështetur zhvillimin global.

Së pari, ndërtimi i përbashkët dhe cilësor i "Një brez, një rrugë". Në bazë të sporteleve të financimit të sapokrijuara prej 700 miliardë RMB dhe kapitalit të shtuar për Fondin e Rrugës së Mëndafshit prej 80 miliardë RMB, duhet të ndërtohet më tej rrjeti i ndërlidhjes trepërmasore, me një Rrugë Mëndafshi të gjelbër dhe digjitale. 

Së dyti, konkretizimi i Nismës së Zhvillimit Global. Në bazë të më shumë se 1 100 projekteve zhvillimore, do të ndërtohet qendra kërkimore e Jugut Global, do të shfrytëzohen 20 miliardë dollarë për të përkrahur vazhdimisht vendet në zhvillim dhe do të thellohet bashkëpunimi pragmatik në zbutjen e varfërisë, sigurinë ushqimore, ekonominë digjitale dhe në fusha të tjera.

Së treti, përkrahja ndaj zhvillimit të Afrikës. Samiti i Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë në Pekin shpalli dhjetë veprime kryesore partneriteti për nxitjen e përbashkët nga Kina e Afrika të modernizimit në tre vjetët e ardhshëm dhe do të ofrojë fonde prej 360 miliardë RMB për këto veprime.

Së katërti, përkrahja ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar në zbutjen e varfërisë dhe sigurinë ushqimore. Pala kineze vendosi të marrë pjesë në Aleancën Globale kundër Urisë dhe Varfërisë, të përkrahë vazhdimisht mbledhjen e ministrave të zhvillimit të G20-s dhe të vazhdojë të organizojë Konferencën Ndërkombëtare mbi Humbjen dhe Shpërdorimin e Ushqimit.

Së pesti, Kina, bashkërisht me Brazilin, Afrikën e Jugut dhe Bashkimin Afrikan, kanë filluar "Nismën e hapjes së bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar", në mënyrë që rezultatet novatore shkencore e teknologjike të mbarë globlit të favorizojnë më shumë Jugun Global.

Së gjashti, përkrahja ndaj bashkëpunimit pragmatik të G20-s në të mirë të Jugut Global, ndaj punës së Qendrës Kërkimore të Sipërmarrjes të G20-s në Pekin dhe ndaj bashkëpunimit të palëve në arsimin digjital dhe digjitalizimin e muzeve dhe të librave të lashtë.

Së shtati, konkretizimi i Planit të Veprimit Antikorrupsion të G20-s. Kina do të forcojë bashkëpunimin me vendet në zhvillim në rikthimin e të arratisurve dhe të pasurive përkatëse jashtë vendit, prishjen e “strehëve të sigurta” të korrupsionit dhe forcimin e aftësisë së luftës kundër korrupsionit.

Së teti, Kina do të përsosë institucionet dhe mekanizmat e hapjes së nivelit të lartë dhe do të zgjerojë hapjen e njëanshme ndaj vendeve më pak të zhvilluara, duke shpallur që do t’u ofrojë të gjitha vendeve më pak të zhvilluara që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën tarifa zero për të gjitha mallrat e taksueshme. Nga tani deri në vitin 2030, vlera e përgjithshme e importeve të Kinës nga vendet në zhvillim pritet t’i kalojë 8 trilionë dollarët. 

Të nderuar kolegë!

Kinezët shpesh thonë që një udhëtim prej mijëra kilometrash fillon nga hapi i parë. Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të ndërtuar një botë të drejtë me zhvillim të përbashkët, për ta bërë varfërinë një gjë të së kaluarës dhe për t'i bërë realitet vizionet e bukura.

Faleminderit të gjithëve.