Xi: Të krijojmë një situate të re të marrëdhënieve Kinë-Britani në sfondin e ndryshimeve botërore
2024-11-19 04:40:37

Gjatë takimit të hënën në kuadrin e Samitit të G20-s në Rio-de-Zhanejro me kryeministrin e Britanisë Keir Starmer, presidenti i Kinës Xi Jinping bëri thirrje që të krijohet një situatë e re e marrëdhënieve kino-britanike në sfondin e ndryshimeve botërore, për të mishëruar si duhet vlerën kohore dhe rëndësinë globale të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Xi vuri në dukje që bota e sotme gjendet në një periudhë të re luhatjesh dhe transformimi. Kina dhe Britania, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ekonomi kryesore të botës, mbajnë përgjegjësi jo vetëm për nxitjen e zhvillimit të vet kombëtar, por edhe për përballimin e sfidave globale. Të dyja palët, duke u nisur nga partneriteti strategjik, duhet t'i përmbahen respektit të ndërsjellë, hapjes e bashkëpunimit, shkëmbimeve dhe mësimit nga njëra-tjetra, që të arrijnë përfitime të përbashkëta dhe të shkruajnë bashkërisht kapitullin e ri të zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-britanike.

Nga ana e tij, Starmer-i e falënderoi presidentin Xi dhe shprehu kënaqësinë që, fill pas marrjes së postit të kryeministrit britanik, pati mundësi të bëjë telefonatë me kreun e shtetit kinez dhe të takohet tani me të. “Marrëdhëniet e forta dhe të fuqishme britaniko-kineze kanë rëndësi të madhe për të dyja vendet. Shpresojmë se Britania e Kina do të ruajnë marrëdhëniet dypalëshe të qëndrueshme e afatgjata dhe do të respektojnë njëra-tjetrën. Kemi arritur më parë konsensusin për këtë. Të dyja palët duhet të forcojnë dialogun e të zgjidhin mosmarrëveshjet, që të nxitin mirëkuptimin e ndërsjellë midis të dy vendeve," u shpreh kryeministri Starmer.