Kozeta Prifti e Carlo Zannetti, çift i suksesshëm në jetë e muzikë
2024-11-18 14:27:32

Kozeta Prifti dhe Carlo Zannetti janë dy muzikantë të njohur në Itali, që me artin e tyre kanë arritur suksese të njëpasnjëshme, duke u vlerësuar me mjaft çmime ndërkombëtare. Kozeta është pianiste e talentuar, e cila ka përfunduar studimet për piano në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku fillimisht ka punuar si asistent pedagoge në Akademinë e Arteve. Ajo pas viteve 90-të është larguar në Itali, ku ka kryer studime të tjera në fushën e muzikës. Kozeta është shquar për aktivitetin intensiv si artiste me vlera shumë të larta si pedagoge, koncert maestre e këngëtarëve opersitikë me famë ndërkombëtare, me një repertor dhe aktivitet të pasur e prestigjioz për karrierën e saj artistike që nga viti 1985 e deri më sot.

Kozeta Prifti gjatë ceremonisë së vlerësimit si artistja e vitit në Itali (Foto personale)

Kozeta Prifti gjatë ceremonisë së vlerësimit si artistja e vitit në Itali (Foto personale)

Certifikata e vleresimit Maison Des Artistes, ne Itali (Foto personale)

Certifikata e vlerësimit Maison Des Artistes, në Itali (Foto personale)

Ajo është dekoruar së fundi me Medaljen e Artë si pianiste, artiste dhe personalitet i vitit nga "Masion des artistes” në Itali. Bashkëshorti i saj italian Carlo Zannetti ka studiuar piano, klarinetë dhe kompozim dhe  është diplomuar për piano dhe muzikë dhome në konservatorin Santa Cecilia në Romë. Ai ka fituar konkurse të shumta solo si pianist dhe festivale ndërkombëtare të filmit (Festivalin e Torinos, Trentos, Festivalin e Los Angeles dhe Festivalin e Tokios, si kompozitor. Në një intervistë për Radio Ejani Kozeta dhe Carlo tregojnë për jetën e tyre artistike në Itali, aktivitetet dhe projektet.


CMG: Kozeta, flasim për projektin e fundit muzikor, për këngën “Moj e bukura More”, që bëri bashkë këngëtaren  shqiptare Merita Halili dhe artisten italiane Alma Manera.

Kozeta Prifti: Doja të shprehja vërtetë kënaqësinë time dhe emocionet që provova me këtë eksperiencë. Ishte një eksperiencë që lidhi jo vetëm këngëtaren e madhe Merita Halili, bilbilin e këngës shqiptare, dhe këtë nuk e them se jam mikeshë e saj, sepse atë e njeh dhe e duan të gjithë shqiptarët. Ky projekt nuk bëri bashkë vetëm Meritën dhe Almën, shoqen time në Itali, e cila është një këngëtare me shumë vlera, një figurë më komplekse sepse është këngëtare dhe balerinë, por ky projekt bëri së bashku një skuadër të tërë.

Në këtë projekt muzikor merrja pjesë unë, Raifi, dy këngëtaret, regjisorja, Carlo Zannetti si aranzhator i pjesës, sepse kjo është një këngë e shkruar 600 vjet më parë dhe sa herë ekzekutohet, kushdo i vë vulën e vet. Në këtë rast është një italian që punon mbi një pjesë shqiptare, ku pas Carlos ndërhyri dhe Raifi që vuri dhe ai vulën e vet. Kështu që është një bashkëpunim i një skuadre, ku përveç regjisorit është dhe tekniku i zërit dhe realizimi i krejt videos. Gjëja më emocionusese për mua ishte pikërisht kjo trio midis meje, Meritës dhe Almës.

Kozeta me Carla Fracci (Foto personale)

Kozeta me Carla Fracci (Foto personale)

CMG: Prej shumë vitesh jeton në Romë. Si ka qenë jeta juaj artistike gjatë këtyre viteve në shtetin fqinj?

Kozeta Prifti: Jeta ime artistike në Itali çuditërisht ka qenë më e kompletuar sesa në Shqipëri. Unë në Shqipëri që në moshën 22 vjeçe u bëra pjesë akademike, duke fituar vendin si assistente pedagoge, por pas tre vitesh punë lashë çdo gjë në vitet 90-të. Arsyeja ime ishte në kërkim të një pedagogu, sepse kisha nevojë dhe ndjeja shumë problematika teknike, erdha në Itali për të gjetur një maestro.

Fillimet kanë qenë shumë të vështira, por falënderoj Zotin që më ndihmoi dhe në kërkimet e mia gjeta nga më të mirët pedagogë që mund të ketë bota dhe jo vetëm Italia, sepse shkolla italiane është me një traditë mijëravjeçare. Aty është vendi ku ka lindur muzika, që pastaj është përhapur në gjithë botën. Mbas studimeve, ndërkohë që punoja e studioja, bëja dhe masterin me profesorin tim Fauso Di Cezare që e falënderoj tërë jetën. Pastaj ishin nxënësit e parë që më jepnin profesorët e S. Cicilia për t’i përgatitur.

Kështu rifillova punën time si pedagoge, që e kam me shumë pasion, dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm në jetën time artistike. Njëkohësisht u njoha me operën italiane dhe au dashurova me të. Fillova dhe bashkëpunimin me operën  dhe punova për shumë vite me gjithë akademitë lirike që kanë qenë në Romë, ku disa janë akoma dhe disa të tjera nuk janë. Vendi im kryesor ishte në Akademinë e Arteve, ku shumë artistë shqiptarë kanë ardhur vitet e shkuara, për të bërë master dhe perfeksionime. Kam patur nderin të punoj në një akademi kaq të rëndësishme ndërkombëtare, ku kisha edhe klasën time të pianofortes dhe bashkëpunimet me këngëtarët.

Kryesorja për mua është se realizova një ëndërr, që kurrë s’e mendoja dot që mund t’ia dilja në Itali të jetoja me muzikë. Për mua nuk është shumë e rëndësishme se sa maja të larta ke arritur, por është sesi e përshkruan ti atë rrugë dhe sesa e vështirë është ajo për ty. Unë isha e vetme dhe kam luftuar, por u jam shumë mirënjohëse të gjithë kolegëve të mi këtu, që gjithmonë më kanë mbështetur dhe më kanë dhënë okazione. Mund të them që jam shumë e kënaqur për jetën time artistike këtu.


Kompozitori Carlo Zannetti (Foto personale)

Kompozitori Carlo Zannetti (Foto personale)

CMG: Sa nostalgjike bëhesh për kohën e studimeve dhe jetën në Shqipëri?

Kozeta Prifti: Jam shumë nostalgjike dhe shumë krenare për shkollën dhe  jetën që kam bërë në Shqipëri.  Të gjithë ne kemi nostalgji për atë kohë, sepse jemi rritur në Liceun Artistik, dhe pastaj në Akademinë e Arteve me një lidhje të jashtëzakonshme. Nuk ekziston më ajo lloj jete shoqërore që kemi bërë dhe mënyra sesi e kemi jetuar ne muzikën. Ne e fillonim jetën muzikore në orën 5 të mëngjesit, ku duhet të vraponim sepse nuk gjenim klasa, ngaqë të gjithë kishim dëshirën për studim dhe klasat në orën 5 të mëngjesit ishin të gjitha të zëna dhe kjo  në moshën 14-15 vjeçare.

Ndërsa në vitet e studimeve në Akademinë e Arteve, ne ishim një grup pianistesh që shkonim dhe studionim natën, sepse nuk na dilte koha gjatë ditës për studim. Ajo që doja të thoja më tepër ishte aspekti miqësor që ne kishim. Unë edhe sot mbas 46 vitesh kam një shoqëri të jashtëzakonshme, një lidhje më tepër se motra me shoqet e mia Merita Halilin dhe Nertila Kokën, që janë artistet e mëdha që i njeh gjithë Shqipëria, por për mua ato janë copa të zemrës time. Në zemrën time janë fëmijët e mi, prindërit, familja ime, por janë edhe ato në qendër të zemrës time, si një prezencë e jashtëzakonshme e jetës time. Kjo për mua është një vlerë e paçmuar.

CMG: Keni menduar ndonjë bashkëpunim artistik së bashku me Meritën dhe Nertilën?

Kozeta Prifti: Gjatë kohës së studimeve dhe më tej, rrugët tona dukeshin aq specifike në vetvete, Nertila me filmat dhe festivalet, që ka fituar aq shumë festivale dhe ka bërë aq shumë filma në nivel shumë të lartë. Merita në rrugën e vet aq specifike me muzikën popullore, dhe unë me muzikën klasike, mendonim se në rrugët tona na lidhte vetëm miqësia dhe pasioni i muzikës, por nuk e kemi parë ndonjëherë në të kaluarën të treja bashkë veten në një projekt.

Kozeta me kengetaren Alma Manera dhe Maria Pialota (Foto personale)

Kozeta me këngëtaren Alma Manera dhe Maria Pialota (Foto personale)

Ndërkohë që me kalimin e kohës, secila prej nesh përveç arritjeve profesionale, ka nevojë të ndajë me miqtë e vet dhe gjërat më të çmuara. Ideja për bashkëpunimin e fundit i ka lindur Raifit në fillim, sepse pjesëmarrjen në koncertet e Meritës i kam bërë sepse më ka ftuar Raifi. Unë dhe Raifi shkojmë shumë me njëri-tjetrin dhe ka mundësi që të bëhen gjëra të bukura, pavarësisht nga specifikat tona. Kjo gjë tani është shndërruar për mua në një ëndërr për një bashkëpunim ne të treja. Këtë po e them ekskluzivisht në emisionin tënd, që e kemi një plan dhe do ju surprizojmë një ditë.

CMG: Përveç shumë vlerësimeve që ke marrë gjatë karrierës muzikore në Itali, një vlerësim të lartë e ke marrë para pak ditësh.

Kozeta Prifti: Kjo gjë ka ndodhur tre ditë përpara. Dy ditë përpara isha pjesë e një koncerti shumë të rëndësishëm me Republikën Popullore të Kinës, për një ditë të shënuar të miqësisë midis Kinës dhe Italisë. Kur unë them që jam shqiptare në këto aktivitet habiten, por asnjëherë nuk harroj të them se jam shqiptare, edhe pse e kam për nder që jetoj dhe punoj në Itali, por jam shumë krenare për origjinën time. Para dy ditësh u surprizova kur më bënë këtë ftesë për të marrë pjesë në këtë organizim që zhvillohet njëherë në vit.

Ky është një aktivitet që ka shumë vite, një traditë prej 60 vitesh. U surprizova sepse nuk e prisja, ngaqë nuk jam shumë e dhënë pas çmimeve, por nuk e fsheh dot faktin që e jetova me një emocion të jashtëzakonshëm. Në këtë aktivitet jepen vlerësime për njerëzit në të gjitha fushat, jo vetëm të artit. Madje nuk janë shumë artistë, ka shkencëtarë, mjekë, dhe njerëzit që janë shquar gjatë vitit në aktivitetet e tyre. Jam shumë krenare sepse e di që këto çmime mua mund të më japin kënaqësi deri në njëfarë mase, por më tepër për prindërit e mi që kanë sakrifikuar për mua, për fëmijët e mi, për familjen time shqiptare dhe atë italiane, për miqtë e mi. Këto janë gjëra që ndodhin jo çdo ditë në jetë, dhe janë ato momentet kur ti ke dëshirë ta ndash këtë vlerësim me të gjithë njerëzit, që kanë qenë pranë teje në sakrificat dhe gëzimet tuaja.

CMG:  Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Kozeta Prifti: Dëshiroj të falënderoj të gjithë pedagogët e mi në Shqipëri, duke filluar që nga dashuria e jetës time që ka qenë modeli i artistes, pedagoges dhe i femrës, Maria Rafael, pastaj Mira Dangëllia dhe profesori im i dashur i Akademisë Robert Radoja. Këtyre pedagogëve i detyrohem vërtetë shumë sepse më brumosën me muzikë. Për këtë e falënderoj Shqipërinë dhe pedagogët e mi shqiptarë. 

CMG: Carlo si je ndjerë në bashkëpunimin për realizimin e këngës së njohur “Moj e bukura More”?

Kozeta Prifti me mikeshat e saj, kengetaret Merita Halili e Nertila Koka (Foto personale)

Kozeta Prifti me mikeshat e saj, këngëtaret Merita Halili e Nertila Koka (Foto personale)

Carlo Zannetti: Desha të flisja pak për muzikën shqiptare “Moj e bukura More”. Muzikën shqiptare e kam dëgjuar në familjen e Kozetës, sepse në familjen e saj këndohej gjithmonë, dhe disa herë kam dëgjuar disa herë “Moj e bukura More”. Më pëlqente shumë sepse ka diçka që përafrohet me muzikën italiane dhe më ngjalli shumë kuriozitet. Ndërkohë unë po punoja për shumë orkestrime, disa pjesë që këndonte Alma në bashkëpunim me Kozetën, dhe midis tyre zgjodha të punoja mbi këtë këngë, duke krijuar një orkestrim krejt të ri. Në fillim kënga u këndua nga Alma dhe Kozeta.

Mé pas lindi ideja e duetit të Meritës me Almën, dhe Raifi aranzhoi pjesën e fizarmonikës dhe u harmonizua në mënyrë perfekte me partitura, me piano dhe rezultati më duket se është mëse i arritur.

CMG: Flasim për karrierën tuaj muzikore në Itali dhe projektet tuaja?

Carlo Zannetti: Unë linda si pianist solist i diplomuar ne konservatorin Santa Cicilia në Romë, ku përveç pianos kam studiuar klarinetë dhe kompozicion muzikë dhome, duke u diplomuar në një diplomë të dytë. Aktiviteti im nisi së pari në mësimdhënie dhe muzikë dhome, duke fituar disa konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Kompozimet e para i kam shkruar për nxënësit e mi me qëllim didaktik. Më pas nisën bashkëpunimet me Rai Cinema, Fininvest italian për spote publicitare dhe koncerte të shumta me muzikën time si solist në muzikë dhome. Me muzikën time për filma kam fituar shumë çmime Ndërkombëtare, si Tokio festival, Trenta Festival, Torino Festival. Kam punuar me formacione artistike në trio e kuartet me instrumentistë të një niveli të lartë në koncertet e Teatrit të Operas të Romës me flautistë, violonçelistë etj.

Muzika ime është ekzekutuar edhe në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve  të Italisë. Së fundi kam shkruar për trenin e kujtesës (për të mos harruar), një tren që udhëtoi në shumë qytete italiane në prezencën e Kryeministres italiane Georgia Meloni. Qytete si Torino, Firence me një sukses të madh. Aktualisht po punoj për shumë projekte.

CMG: Si e ke njohur Shqipërinë?

Kozeta me familjen e saj (Foto personale)

Kozeta me familjen e saj (Foto personale)

Carlo Zannetti: Shqipërinë e njoh që në vitin 1995, në momentin e njohjes me Kozetën. E vizitova në ato vite të një tranzicioni të vështirë, por tani e shoh të transformuar. Që në vizitën e parë gjeta shumë ngjashmëri në vlerat e rëndësishme të jetës shqiptare, vlerat e familjes, miqësisë, vëllazërisë dhe në stil jetese. Mund të them se e njoh prej shumë vitesh Shqipërinë.

CMG: Ke ardhur kohët e fundit për të vizituar Shqipërinë?

Carlo Zannetti: Jam kthyer në Shqipëri kohët e fundit për koncerte në Sarandë, Korçë, duke sjellë gjithmonë muzikën time solistike. Më e fundit isha aty jo më larg se dy muaj më parë.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Carlo Zannetti: Një përshëndetje të ngrohtë për gjithë dëgjuesit e këtij emisioni, për miqtë dhe vëllezërit shqiptarë, për të gjithë admiruesit e muzikës time, ata që ndjekin muzikën time në koncerte dhe kanalet e mia sociale. Së fundi një përqafim universal për gjithë botën.

Intervistoi: Gazmend Agaj