Me ftesën e presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, të dielën pasdite presidenti kinez Xi Jinping arriti me aeroplan të posaçëm në Rio-de-Zhanejro për të marrë pjesë në Samitin e 19-të të G20-s dhe për të bërë një vizitë shtetërore në Brazil.
Në fjalimin e mbajtur në aeroport, Xi Jinping i shprehu qeverisë e popullit brazilian përshëndetje të sinqerta dhe urimet më të mira.
Xi theksoi se Kina dhe Brazili janë miq me mendime të ngjashme dhe partnerë të mirë që ecin përpara dorë për dorë. Si dy vendet kryesore në zhvillim në hemisferën lindore dhe në hemisferën perëndimore, edhe pse të dy vendet janë të ndara nga oqeanet, ato tërhiqen nga njëra-tjetra dhe i bëjnë jehonë nga larg njëra-tjetrës. Sociologu brazilian Gilberto Fréyre e ka quajtur Brazilin si “Kina tropikale” dhe populli kinez ka të njëjtat ndjenja miqësore për Brazilin. “Vitet e fundit, nën drejtim strategjik nga unë dhe presidenti Lula, besimi reciprok mes dy vendeve vazhdon të thellohet, bashkëpunimi praktik ka qenë i frytshëm, bashkëpunimi kulturor ka pasur arritje të shumta dhe miqësia tradicionale ka treguar gjallëri në epokën e re. Kina dhe Brazili në komunitetin ndërkombëtar shprehin zërin e drejtë të Jugut Global, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për paqen dhe zhvillimin e botës,” u shpreh Xi Jinping-u.
Presidenti kinez theksoi më tej se sivjet të dy vendet festojnë solemnisht 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke shtuar që marrëdhëniet Kinë-Brazil ndodhen në një moment të rëndësishëm historik të ndërlidhjes së të kaluarës dhe së ardhmes. “Unë pres me padurim të kem një shkëmbim të thellë pikëpamjesh me presidentin Lula mbi zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Kinë-Brazil, forcimin e sinergjisë midis strategjive të zhvillimit të të dy vendeve, si edhe mbi çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët. Besoj që kjo vizitë do të zgjerojë më tej besimin e ndërsjellë strategjik mes dy vendeve, do të thellojë shkëmbimin e bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe do t’i çojë marrëdhëniet Kinë-Brazil në një tjetër ‘50-vjetor të artë’," vuri në dukje Xi.