Katër yje të futbollit i japin lamtumirën Kombëtares së Shqipërisë
2024-11-18 10:00:01

Ndeshja Shqipëri-Çeki (Foto ATSH)

Ndeshja Shqipëri-Çeki (Foto ATSH)

Në një ceremoni të veçantë, Federata Shqiptare e Futbollit nderoi para ndeshjes Shqipëri - Çeki, katër futbollistë të cilët kanë dhënë lamtumirën kombëtares shqitare, shkruan ATSH.

Ermir Lenjani, Bekim Balaj, Odise Roshi dhe Klaus Gjasula u tërhoqën nga ngjyrat kuqezi.  Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, nënvizoi se ata përfaqësuan me krenari fanellën në çdo moment që ju dha mundësia.

“Emocionuese të shohësh një stadium të tërë të përshëndesë katër futbollistë që kanë dhënë shumë për Kombëtaren, duke qenë pjesë e një kapitulli të suksesshëm të futbollit shqiptar”, shkruan Duka.

“Bekim, Odise, Ermir dhe Klaus, faleminderit për gjithçka keni dhënë për Kombëtaren! Ju uroj suksese në vazhdimin e karrierës tuaj në klube dhe kudo në jetë!”- e përmbyll Duka reagimin e tij.