Foto nga VCG
Avionët luftarakë izraelitë goditën sërish objektiva në Bejrut, duke përfshirë një zonë të banuar vetëm disa kilometra larg qendrës së qytetit, njofton ATSH.
Këmbanat e kishave ranë në një lagje të krishterë për të paralajmëruar sulmet, duke i bërë banorët të kërkonin strehim në kishat aty pranë.
Dëshmitarët okularë raportuan shpërthime të forta, të ndjekura nga shtëllunga tymi që ngriheshin mbi shtëpitë në zonë, me erën e tymit që përhapej në lagjet përreth. Nuk pati raportime fillestare për të vdekur apo të plagosur.
Izraeli është i përfshirë në një luftë jo vetëm në Rripin e Gazës me grupin palestinez Hamas, por edhe me milicinë aleate të Iranit Hezbollah në Liban.
Që nga shtatori, ushtria izraelite ka zgjeruar masivisht sulmet e saj në Liban, ku thotë se po kërkon të largojë Hezbollahun nga kufiri i saj verior, në mënyrë që banorët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Avionët luftarakë kanë bombarduar objektiva në të gjithë vendin dhe shpesh në jug të Bejrutit.
Sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, “Më shumë se 3 000 njerëz janë vrarë në Liban deri më tani”.