
Foto nga CNA
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga stërvitja ndërkombëtare “Urban Operations 24”, e zhvilluar në Camp Novo Selo, Bullgari, njofton ATSH.
“Gjatë kësaj stërvitjeje në Camp Novo Selo, forcat tona treguan aftësi të shkëlqyera operacionale në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s. Efektivët tanë shpalosën profesionalizëm të lartë, si pjesë e Forward Land Force Battle Group Bulgaria”, shkruan Vengu.
Ministri Vengu vlerësoi këtë arritje si një dëshmi të investimeve të vazhdueshme në kapacitetet ushtarake shqiptare. “Ky sukses është një dëshmi e investimeve të vazhdueshme në kapacitete ushtarake, që synojnë misione sa më të suksesshme, jo vetëm brenda, por edhe përtej kufijve tanë. Përgatitja e lartë e efektivëve tanë është themeli i angazhimit tonë për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, thekson Vengu.
Stërvitja “Urban Operations 24” synon përgatitjen e forcave për operacione komplekse në mjedise urbane, duke forcuar ndërveprimin dhe koordinimin mes aleatëve të NATO-s.
