Xi u takua me Starmer-in
2024-11-18 22:19:59

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të hënën me kryeministrin e Britanisë Keir Starmer, në kuadrin e Samitit të G20-s në Rio-de-Zhanejro të Brazilit. 

Ndër të tjera, Xi vuri në dukje që bota e sotme gjendet në një periudhë të re luhatjesh dhe transformimi. Kina dhe Britania, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ekonomi kryesore të botës, mbajnë përgjegjësi jo vetëm për nxitjen e zhvillimit të vet kombëtar, por edhe për përballimin e sfidave globale. Të dyja palët, duke u nisur nga partneriteti strategjik, duhet t'i përmbahen respektit të ndërsjellë, hapjes e bashkëpunimit, shkëmbimeve dhe mësimit nga njëra-tjetra, që të arrijnë përfitime të përbashkëta dhe të shkruajnë bashkërisht kapitullin e ri të zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-britanike.

Xi theksoi më tej që, pavarësisht nga dallimet në histori, kulturë, konceptin e vlerave dhe institucionet shoqërore, Kina e Britania kanë një game të gjerë interesash të përbashkëta. Të dyja palët duhet ta trajtojnë në mënyrë objektive e racionale zhvillimin e njëra-tjetrës, të forcojnë shkëmbimet strategjike e të shtojnë besimin e ndërsjellë, që të sigurojnë ecurinë e qëndrueshme, normale dhe të gjatë të marrëdhënieve kino-britanike. Të dyja vendet kanë hapësirë të gjerë bashkëpunimi në tregti, investime, energjinë e pastër, shërbimet financiare, mjekësi, jetesën e njerëzve etj. dhe duhet ta zgjerojnë më tej bashkëpunimin ekzistues, që t'u sjellin më shumë të mira të dy popujve. Të dyja palët duhet të nxitin zgjidhjen politike të problemeve të nxehta, të forcojnë qeverisjen globale të inteligjencës artificiale dhe të japin kontribut për nxitjen e rritjes eonomike botërore dhe për realizimin e zhvillimit të përbashkët të vendeve të ndryshme.

Nga ana e tij, Keir Starmer-i tha se Britania dhe Kina kanë interesa të gjera të përbashkëta dhe mbajnë përgjegjësi kryesore për zgjidhjen e sfidave globale dhe për mbrojtjen e paqes e zhvillimit të botës. Marrëdhëniet e forta e të qëndrueshme ndërmjet Britanisë dhe Kinës janë shumë të rëndësishme për të dy vendet dhe për botën. Pala britanike shpreson që, duke mbajtur vazhdimisht frymën e respektit reciprok, barazisë dhe sinqeritetit, të forcojë dialogun me palën kineze, të shtojë njohjen reciproke dhe të zhvillojë bashkëpunimin në shumë fusha, si ekonomiko-tregtare, tekniko-shkencore, financiare, shëndetësore e mjekësore, arsimore, të përballimit të ndryshimeve klimatike etj. Si Britania, ashtu dhe Kina i përmbahen multilateralizmit dhe pala britanike është e gatshme të forcojë shkëmbimet e bashkërendimin shumëpalësh me palën kineze, për të nxitur zgjidhjen politike të problemeve të nxehta rajonale.