Foto nga CMG
Teksti i fjalimit të Xi Jinping-ut
(17 nëntor 2024, në bazën e forcave ajrore Galeão të Rio-de-Zhanejros)
Kryetari i Republikës së Popullore të Kinës, Xi Jinping
Është kënaqësi që, me ftesën e presidentit Lula, vij në Brazilin e bukur për të marrë pjesë në samitin e 19-të të liderëve të G20-s dhe për të bërë sërish vizitë shtetërore në Brazil. Kam qenë katër herë në Brazil dhe kam dëshmuar zhvillimin dhe ndryshimin e Brazilit gjatë 30 viteve të fundit. Kur mbërrij në këtë tokë plot pasion, ndiej shumë ngrohtësi. Me këtë rast, në emër të qeverisë kineze e të popullit kinez, dua të shpreh përshëndetje të sinqerta dhe urimet më të mira për qeverinë braziliane dhe popullin brazilian.
Kina dhe Brazili janë miq me mendime të ngjashme dhe partnerë të mirë që ecin përpara dorë për dorë. Si dy vendet kryesore në zhvillim në hemisferën lindore dhe në hemisferën perëndimore, edhe pse të dy vendet janë të ndara nga oqeanet, ato tërhiqen nga njëra-tjetra dhe i bëjnë jehonë nga larg njëra-tjetrës. Sociologu brazilian Gilberto Fréyre e ka quajtur Brazilin si “Kina tropikale” dhe populli kinez ka të njëjtat ndjenja miqësore për Brazilin. Vitet e fundit, nën drejtim strategjik nga unë dhe presidenti Lula, besimi reciprok mes dy vendeve vazhdon të thellohet, bashkëpunimi praktik ka qenë i frytshëm, bashkëpunimi kulturor ka pasur arritje të shumta dhe miqësia tradicionale ka treguar gjallëri në epokën e re. Kina dhe Brazili në komunitetin ndërkombëtar shprehin zërin e drejtë të Jugut Global, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për paqen dhe zhvillimin e botës.
Sivjet, të dy vendet festojnë solemnisht 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe marrëdhëniet Kinë-Brazil ndodhen në një moment të rëndësishëm historik të ndërlidhjes së të kaluarës dhe së ardhmes. Unë pres me padurim të kem një shkëmbim të thellë pikëpamjesh me presidentin Lula mbi zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Kinë-Brazil, forcimin e sinergjisë midis strategjive të zhvillimit të të dy vendeve, si edhe mbi çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët. Besoj që kjo vizitë do të zgjerojë më tej besimin e ndërsjellë strategjik mes dy vendeve, do të thellojë shkëmbimin e bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe do t’i çojë marrëdhëniet Kinë-Brazil në një tjetër "50-vjetor të artë".
Ndërkohë, unë mirëpres gjithashtu pjesëmarrjen në samitin e 19-të të liderëve të G20-s, ku bashkë me të gjitha palët do të diskutojmë mbi planet e mëdha dhe do të kërkojmë rrugën e zhvillimit të përbashkët, do të promovojmë bashkë një multilateralizëm botëror të barabartë e të rregullt dhe një globalizim ekonomik përfshirës e me përfitime të përbashkëta dhe do ta nxitim G20-n të vazhdojë të luajë një rol më të madh si një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.
(Jiang Lei)