Inflacioni (Foto Gazeta Si)
Gjatë analizës së raportit të politikës monetare të tremujorit të katërt, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u ndal edhe tek analiza e inflacionit. Sipas shifrave inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një nivel mesatar prej 2% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një rënie të lehtë ndaj tremujorit paraardhës.
“Rënia e inflacionit gjatë kësaj periudhe është diktuar nga rënia e çmimit të naftës dhe rritja më e ngadaltë e çmimit të qirave. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të ushqimeve shënoi një rritje të lehtë. Në aspektin makroekonomik, rënia e shpejtë e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar në masën më të madhe rënien e inflacionit të importuar. Ky zhvillim ka ardhur si pasojë e ngadalësimit të inflacionit në partnerët tanë tregtarë, e rënies së çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregjet ndërkombëtare, si dhe e forcimit të kursit të këmbimit të Lekut. Paralelisht me të, edhe inflacioni i gjeneruar nga zhvillimet e brendshme ekonomike e monetare ka ardhur në rënie, por kjo rënie ka qenë më e ngadaltë dhe presionet e brendshme inflacioniste ndodhen pranë mesatareve të tyre afatgjata. Presionet e brendshme inflacioniste pasqyrojnë fazën pozitive të ciklit të biznesit në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare. Në terma më të detajuar, këto presione vijojnë të ushqehen nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të punës, zhvillim i cili ushtron ndikim të kahut rritës mbi çmimet finale të konsumit, si dhe nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, kërkesë e cila mbështet marzhet e fitimit të biznesit.”- u shpreh Sejko.
Sipas Bankës së Shqipërisë, informacioni i ri i marrë në analizë tregon se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj, janë në një trend pozitiv zhvillimi.
“Aktiviteti ekonomik ka pasur një rritje solide gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, inflacioni është në nivele të ulëta, borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie, bilancet e sektorit bankar mbeten të shëndetshme, ndërsa kreditimi po shfaq një rritje progressive”.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një kontribut të rëndësishëm pozitiv në këtë ecuri.
“ Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare bëri të mundur kontrollin dhe reduktimin e inflacionit, pas goditjes së çmimeve të ardhur nga tregu ndërkombëtar gjatë vitit 2022, pa cenuar në të njëjtën kohë trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij. Ky informacion i ri ka qenë përgjithësisht në linjë me pritjet tona, ndonëse rritja ekonomike ka qenë në kahun e sipërm dhe niveli i inflacionit në kahun e poshtëm të tyre.”- tha Guvernatori.
Përditësimi i parashikimeve nga Banka Qendrore ka lënë të pandryshuara projeksionet për të ardhmen.
Guvernatori i BSH Gent Sejko (Foto Albanian Construction Portal)
“ Në vija të përgjithshme, ne presim vijimin e trendit pozitiv të rritjes ekonomike dhe kthimin gradual të inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, ky përditësim sugjeron se balanca e rreziqeve mbi inflacionin qëndron në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër. Në këto rrethana, në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare.”
Të dhënat zyrtare të Instat-it, tregojnë se ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit. Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ky ritëm rritjeje do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit.
“Rritja ekonomike e vitit 2024 është mbështetur, në masën më të madhe, nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. Paralelisht me të, edhe zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka pasur një ndikim pozitiv, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave të turizmit, ndërkohë që rritja e importeve, rënia e eksportit të mallrave dhe politika konsoliduese fiskale kanë pasur ndikim frenues. Ky profil kërkese agregate ka sjellë një rritje të shpejtë të sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë ka shënuar tkurrje. Në aspektin makroekonomik, trendi pozitiv i rritjes është ndikuar nga bilancet e shëndosha financiare të bizneseve dhe të familjeve, nga rritja e të ardhurave, nga optimizmi për të ardhmen, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit.”- shprehet Sejko.
Tregjet financiare kanë vijuar të jenë relativisht të qeta gjatë tremujorit të tretë.
“Normat e interesit të depozitave, të kredive dhe të letrave me vlerë të qeverisë, kanë shënuar një rënie të lehtë, duke pasqyruar si lehtësimin e politikës monetare në muajin korrik, ashtu edhe primet e kontrolluara të rrezikut. Së fundi, kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros vijon të shfaqë tendenca forcimi. Ky trend vijon të pasqyrojë, më së shumti, përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve ekonomike dhe financiare me jashtë. Megjithatë, këto tendenca kanë ardhur në zbehje krahasuar me vitin paraardhës dhe ndikimi i tyre në kurs është zbutur nga një prani më e madhe e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor.”-tha Guvernatori.
Banka e Shqipërisë (Foto Hashtag.al)
Sipas analizës së bërë, ky ambient ekonomik e financiar, si dhe përqasja pozitive e bankave ndaj klientëve, ka sjellë një rritje të shpejtë të kredisë gjatë vitit 2024.
“Rritja vjetore e kredisë regjistroi nivelin 16.8% në tremujorin e tretë, duke shënuar dhe nivelin më të lartë të më shumë se një dekade. Ashtu si dhe më parë, zgjerimi i kredisë vazhdon të nxitet nga kreditimi në lekë dhe të jetë i orientuar drejt plotësimit të nevojave të bizneseve për investime dhe të individëve për blerje banesash. Po ashtu, raporti i kredive me probleme vijon të qëndrojë pranë niveleve minimale të më shumë se një dekade, duke ilustruar një cilësi të mirë e të qëndrueshme të saj.”- thotë Sejko.
Sejko tha se balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve është përgjithësisht neutrale. Rreziqet mbi inflacionin janë të zhvendosura në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër, në prani të vijimit të goditjeve pozitive të ofertës, por ato mbeten neutrale në afatin e mesëm. Së fundmi Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 3% në nivelin 2.75%; të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2% në nivelin 1.75%; të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4% në nivelin 3.75%.