Presidenti kinez Xi Jinping takon kryeministrin australian
2024-11-18 23:02:41

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të hënën me kryeministrin australian Anthony Albanese në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, ku ata ndodhen për të marrë pjesë në Samitin e 19-të të G20-s.

Xi Jinping vuri në dukje se, në nëntor të vitit të kaluar, ai zhvilloi një komunikim të thellë me kryeministrin Albanese në Pekin për çështjet strategjike, të gjithanshme e orientuese që lidhen me zhvillimin afatgjatë të marrëdhënieve Kinë-Australi. “Për më shumë se një vit, të dy vendet kanë mbajtur komunikim e shkëmbime të ngushta në të gjitha nivelet, kanë nxitur në mënyrë aktive zbatimin e konsensusit të rëndësishëm që arritëm dhe kanë pasur përparim,” u shpreh kreu i shtetit kinez. Ai vuri në dukje më tej që Kina dhe Australia nuk kanë konflikte thelbësore interesash. Nëse të dyja palët e respektojnë njëra-tjetrën, e trajtojnë njëra-tjetrën në mënyrë të barabartë dhe kërkojnë pikat e përbashkëta duke lënë mënjanë dallimet, marrëdhëniet Kinë-Australi me siguri do të zhvillohen mirë. Pala kineze është e gatshme të punojë me palën australine për të promovuar marrëdhënie të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Australi më të pjekura, më të qëndrueshme e më të frytshme dhe për të sjellë më shumë qëndrueshmëri e siguri në rajon dhe në botë.

Xi Jinping-u vuri në dukje më tej që këtë vit mbi 250 ndërmarrje australiane morën pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës(CIIE), duke shënuar një rekord historik. Kjo tregon "votëbesimin" e kompanive australiane për ekonominë kineze dhe bashkëpunimin kino-australian. Të dy vendet duhet të vazhdojnë t’i përmbahen zhvillimit të një modeli bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella. Kina dëshiron të importojë më shumë produkte cilësore australiane e të inkurajojë më shumë ndërmarrje kineze që të shkojnë në Australi për investime dhe biznes. Pala kineze shpreson që pala australiane të garantojë një mjedis biznesi të drejtë, transparent dhe jodiskriminues për ndërmarrjet kineze. Kina dhe Australia janë mbështetëse e mbrojtëse të globalizimit ekonomik dhe të tregtisë së lirë. Të dyja palët duhet të forcojnë koordinimin dhe bashkëpunimin, të kundërshtojnë proteksionizmin dhe të promovojnë ndarjen e mundësive dhe përfitimeve nga vendet e ndryshme nëpërmjet hapjes, duke arritur zhvillimin e përbashkët.

Anthony Albanese u shpreh nga ana e tij se ai është shumë i kënaqur që takon përsëri presidentin Xi Jinping me rastin e dhjetëvjetorit të krijimit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Australi-Kinë. Ai tha se, që nga vizita e tij në Kinë vitin e kaluar, marrëdhëniet australiano-kineze kanë bërë përparim inkurajues në fusha të ndryshme, si tregtia etj., duke sjellë përfitime praktike për popujt e të dy vendeve. Austalia këmbëngul në ndjekjen e politikës së “një Kine”, kundërshton "shkëputjen", promovon globalizimin ekonomik dhe shpreson për forcimin e bashkëpunimit me Kinën në transformimin e energjisë, ndryshimet klimatike dhe fusha të tjera. Zhvillimi i Kinës ka dhënë kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe rritjes afatgjatë në Azi-Paqësor, Australia vlerëson rolin e rëndësishëm të Kinës në mekanizmat shumëpalësh, si APEC-u, mbështet Kinën si vend mikpritës i APEC-ut më 2026 dhe është e gatshme të forcojë komunikimin shumëpalësh me Kinën për të promovuar paqen, qëndrueshmërinë, lulëzimin dhe zhvillimin e rajonit.(Xu Guang)