Më 18 dhe 19 nëntor në Rio de Zhaneiro, të Brazilit mbahet Samiti i Liderëve të G20-ës me praninë e liderëve të 19 vendeve anëtare, plus Bashkimin Afrikan dhe Bashkimin Evropian. 2023. Vendet kryesuese të G20 nga 2023 deri në 2025 janë përkatësisht India, Brazili dhe Afrika e Jugut - të gjitha vendet e BRICS. Presidenca braziliane filloi zyrtarisht më 1 dhjetor .
Çështja e varfërisë është bërë gjithnjë e më e dukshme vitet e fundit dhe për këtë arsye është iniciuar Aleanca e parë globale kundër Urisë dhe Varfërisë, që pritet të nisë zyrtarisht në Samitin e G20-s në Brazil. Ajo synon arritjen e objektivave të OKB-së për eliminimin e urisë ekstreme në mbarë botën deri në vitin 2030.
Sipas raportit vjetor mbi Gjendjen e Sigurisë Ushqimore dhe të Ushqyerjes në Botë, të publikuar në korrik nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së, gati 757 milionë njerëz mund të jenë përballur me urinë në vitin 2023, që do të thotë 1 në çdo 11 njerëz në botë.
Eksperti i ekonomisë, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë Klodjan Muço në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ndan opinionet e tij për këtë event me rëndësi globale
Foto nga CMG
CMG: Në Rio de Janeiro të Brazilit nis sot Samiti i G20 me praninë e liderëve të 19 vendeve anëtare, plus Bashkimin Afrikan dhe Bashkimin Evropian. 2023. Aleanca e parë globale kundër Urisë dhe Varfërisë pritet të iniciohet nga ky Samit. Sa pritet të ndikojë ky Samit në arritjen e objektivit të OKB-së për arritjen e objektivave të OKB-së për eliminimin e urisë ekstreme në mbarë botën deri në vitin 2030 ?
Klodjan Muço:Me fillimin e pandemisë Covid 19 dhe gjatë 5 viteve të fundit niveli i varfërisë në botë ka kapur nivelet e viteve 2008-2009, praktikisht raportet e para të Bankës Botërore që me fillimin e pandemisë e nxorrën këtë problematikë. I gjithë progresi i bërë në vitet 2008-2009 u zhduk si pasojë e pandemisë. Sot në botë 1 në 11 persona në botë vuajnë nga varfëria ekstreme apo uria dhe kjo shifër është alarmante duke marrë parasysh se nëse do të taksohej me 2 përqind 1 përqindëshin e popullsisë më të pasur në botë, nuk do të flisnim më për varfëri ekstreme.
Samiti i G20 është një hap shumë i rëndësishëm sepse për herë të parë po diskutohet për bërjen e nivelit të varfërisë zero. Është folur shumë ndërkohë për bërjen e nivelit të karbonit zero, për zgjidhjen e problemeve të qëndrueshmërisë ekonomike, në nivelin makro, por është hera e parë që po flitet për individët dhe kam përshtypjen që duke folur për vendet më të zhvilluara të botës, mekanizmat mund të gjenden.
Një shembull tjetër është evazioni fiskal. Nëse do të flasim sot për evazinin fiskal në nivel global diskutohet të jetë rreth 10 për qind. Nëse do të reduktohej evazioni fiskal në nivel global qoftë dhe me 1 për qind do t’i kishin dhënë zgjidhje edhe varfërisë ekstreme.
CMG: Çfarë e pengon këtë gjë?
Klodjan Muço: E pengojnë mekanizmat, vullneti, problematika të caktuara, vende të ndryshme janë në situata të ndryshme sa i përket aftësive që kanë për të luftuar evazionin fiskal. Gjithashtu mungon lobimi. Konkretisht po të marrim kompanitë për të cilat dëgjojmë çdo ditë në media se vlera e tyre në bursë rritet çdo ditë, por kontributi fiskal që ato japin edhe pse vlerat e tyre arrijnë në disa triliardë dollarë, është relativisht modest. Kjo ndodh sepse bëjnë programimin fiskal duke vendosur qendrën fiskale në vende të caktuara, duke përfituar nga hapësirat që lejon globi.
CMG: Ndër objektivat e Samitit janë :Përfshirja sociale dhe lufta kundër urisë; Tranzicioni i energjisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm në aspektet e saj sociale, ekonomike dhe mjedisore dhe Reforma e institucioneve të qeverisjes globale. Sa janë të realizueshëm këto objektiva në situatën aktuale të ngarkuar me konflikte dhe sfida globale?
Klodjan Muço: Ta nisim me konfliktet në botë. Sot diskutohet se me fillimin e konflikteve buxheti i rritur për mbrojtjen në nivel global është rreth 7.2 për qind, kjo është shifra që të gjitha shtetet janë në nivele të përafërta. Në kompleks vitin e kaluar kaq ka qenë shifra e buxhetit për mbrojtjen në nivel global. Por nëse nuk do të harxhohej kjo shifër për mbrojtjen, por 2 për qind më pak, pra 5.2 për qind, do të ishte zgjidhur problemi i varfërisë ekstreme.
Është paradoksale që në vitin 2024 të flitet ende për mbrojtjen, për konfliktet, ndërkohë që bota po shkon drejt një globalizimi. Një pjesë e mirë e G20 përbëhet nga shtetet e Bashkimit Europian, i cili po mundohet që kufijtë territorialë të jenë thjesht formalë. E gjithë bota drejt kësaj duhet të shkojë pavarësisht si kryhet globalizimi. Me fillimin e varfërisë dolën në pah problematikat e konflikteve dhe një pjesë e mirë e vendeve të Bashkimit Europian filluan të mendonin se mos vallë strategjia e tyre për të prodhuar me kosto më të ulët, duke zhvendosur prodhimin drejt vendeve aziatike dhe duke harxhuar për transportin e duke kursyer për burimet njerëzore, nuk ishte e duhura.
Në periudhën e pandemisë patë një “reshoring”, një kthyeshmëri të bizneseve europiane që kishin investuar apo kishin një pjesë të sipërmarrjes në Kinë filluan strategjitë e kthimit drejt Europës. Ishte një fazë reflektimi sepse globalizimi ka sigurisht aspekte pozitive, por gjatë pandemisë u panë dhe aspektet negative të tij.
Në këtë periudhë dolën në pah konfliktet e fshehura. Kur flasim për politikën ndërkombëtare gjithmonë vende të caktuara të botës herë pas here reflektojnë duke menduar se çfarë kanë qenë në të kaluarën. Në këtë drejtim mund të flasim për strategjinë e Kinës për të ndërtuar Rrugën e re të Mëndafshit.
Lidhur me mundësinë e zgjidhjes së varfërisë sigurisht që mundet.
50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Kinë-Brazil (Foto Xinhua)
CMG: Ka shembuj konkretë për këtë. Anëtarët e G20-s, të cilët përfaqësojnë ekonomitë më të mëdha të zhvilluara dhe në zhvillim në botë, përbëjnë më shumë se 80 për qind të PBB-së globale. Brazili dhe Kina kanë bërë arritje të rëndësishme në luftën kundër urisë dhe varfërisë. Kina ka eliminuar varfërinë ekstreme deri në vitin 2020, duke nxjerrë nga varfëria 800 milionë njerëz. Në vitin 2023, nisi programi “Brazili pa urinë” dhe uli numrin e njerëzve në Brazil që vuajnë nga pasiguria e rëndë ushqimore nga 33 milionë në 8.7 milionë në vetëm një vit. Vlerësimi juaj për këtë arritje
Klodjan Muço: Janë dy shtete të mëdha në botë, që nuk konsiderohen me një ekonomi të avancuar nëse do të krahasohet niveli i mirëqenies, apo të të ardhurave për frymë ndërmjet Gjermanisë dhe Kinës, Gjermanisë dhe Brazilit, si dhe SHBA-së dhe këtyre shteteve.
Kina në këtë aspekt ka bërë shumë progres. Ndërsa vende të G20 si Kina, Brazili dhe shumë vende të tjera si Bashkimi Europian e ka sfidë që deri në vitin 2030 të jemi në nivelin zero karbon. Këto vende po ndjekin një sërë politikash që të arrihen objektivat.
Kam përshtypjen se nëse këto shtete do të bashkëpunojnë dhe do të lenë mënjanë konfliktet, apo rritjen e buxhetit të mbrojtjes dhe duke menduar se globi është i të gjithë qytetarëve dhe nuk ka pse të ketë konflikte në botë. Ndaj në këtë aspekt këto vende do t’ja dilnin të realizonin objektivat ashtu siç ka ndodhur me Kinën dhe Brazilin në luftën kundër varfërisë ekstreme. Ndërkohë sot në Bashkimin Europian niveli i varfërisë ekstreme është më pak se 2 për qind.
Mendoj se në këtë aspekt mund t’i jepej një ndihmë dhe kontinentit afrikan që konsiderohet si një ndër kontinentet me nivelin më të lartë të varfërisë në botë. Kina në vitet e fundit ka patur një rritje të ndjeshme të investimeve në infrastrukturë, në fushën e energjisë dhe të bujqësisë në vendet afrikane, të cilat ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë kineze në periudhë afatgjatë, por nga ana tjetër japin një kontribut të rëndësishëm në ekonomitë e vendeve ku po kryhen.
CMG: Shqipëria nuk është pjesë e G20, por do të ishte me interes të mësonim për nivelin e varfërisë ekstreme në vendin tonë, sipas vlerësimit tuaj ekonomik
Klodjan Muço: Për fat të keq Shqipëria vuan nga niveli i varfërisë. Sot referuar Bankës Botërore një person konsiderohet i varfër nëse merr 6.7 dollarë në ditë dhe kjo u rishikua me rritjen e inflacionit pas fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe vrullit të madh të inflacionit që pësoi bota si pasojë e tij, por dhe e pandemisë.
Gati 1 në 3 persona jetojnë në varfëri, madje dhe më shumë nëse kemi parasysh se sot në Shqipëri pensioni mesatar është rreth 18.800 lekë, pra në kufirin që të mos konsiderohet një individ i varfër.
Në Shqipëri mbi 10 për qind e popullsisë jeton në varfëri ekstreme, ku 67 mijë familje marrin një asistencë sociale prej 1800 lekë në muaj për individ, që tregon se sa alarmante është situata. Kjo është një shifër e madhe për një vend të vogël si Shqipëria, duke marrë në konsideratë që vendi ka rreth 650 mijë familje në total. Është një problem real varfëria në Shqipëri dhe lidhur me atë që po bëhet në këtë drejtim, për fat të keq nuk po bëhet mjaftueshëm. INSTAT bëri një rillogaritje të PBB-së duke ndjekur metodologjinë e EUROSTAT-it dhe publikoi që niveli i pagave në raport me PBB-në shkon tek 24 për qind. Krahasuar kjo shifër me vendet e OECD-së kjo shifër shkon nga 49-53 për qind. Përtej shifrave, Shqipëria ka një shpërndarje jo të drejtë të të ardhurave, sepse një pjesë e popullsisë pasurohet gjithmonë e më shumë, kurse pjesa tjetër nuk ka një përmirësim të situatës ekonomike
Intervistoi Eda Merepeza