Fjalimi i Xi Jinping-ut në Takimin e 31-të Jozyrtar të Liderëve të APEC-ut
2024-11-17 04:04:52

Foto nga VCG

Foto nga VCG

E nderuar presidente Dina Boluarte,

Të nderuar kolegë,

Kam kënaqësinë që, pas tetë vjetësh, vij sërish në Lima për të diskutuar së bashku lidhur me bashkëpunimin e Azi-Paqësorit. Faleminderit për planifikimin e hollësishëm nga presidentja Boluarte të këtij takimi.

Gjatë dekadave të fundit, APEC-u e ka nxitur Azi-Paqësorin të arrijë zhvillim, lulëzim e integrim të madh dhe e ka ndihmuar atë të bëhet rajoni më dinamik dhe një forcë e madhe shtytëse e rritjes së ekonomisë globale. Aktualisht, bota po pëson ndryshimet e një shekulli me një ritëm të përshpejtuar, rritja ekonomike botërore është e ngadaltë, indeksi i hapjes botërore është në rënie dhe bashkëpunimi i Azi-Paqësorit po përballet me sfida të tilla si gjeopolitika, unilateralizmi dhe proteksionizmi. Duke qëndruar në udhëkryqin e historisë, vendet e rajonit të Azi-Paqësorit mbajnë përgjegjësi më të mëdha. Ne duhet të bashkohemi dhe të bashkëpunojmë, të kemi guximin të marrim përgjegjësi, të zbatojmë plotësisht Vizionin e Putrajaya-s 2040, të nxisim ndërtimin e një komuniteti  me fate të përbashkëta të Azi-Paqësorit dhe të përpiqemi të sjellim një epokë të re të zhvillimit të këtij rajoni. Lidhur me këtë, dua të paraqes propozimet e mëposhtme:

Së pari, të krijojmë një model bashkëpunimi të Azi-Paqësorit të hapur dhe të ndërlidhur. Ne duhet të ngulim këmbë në drejtimin e multilateralizmit dhe të një ekonomie të hapur, të mbështesim fuqimisht sistemin tregtar shumëpalësh me OBT-në në thelb, të aktivizojmë plotësisht rolin e APEC-ut si një "inkubator" për rregullat ekonomike dhe tregtare globale, të përpiqemi të nxisim integrimin ekonomik e ndërlidhshmërinë rajonale, të rrëzojmë muret e larta që pengojnë lëvizjen e tregtisë, investimeve, teknologjisë dhe shërbimeve, të ruajmë qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë e të furnizimit dhe të promovojmë qarkullimin ekonomik të rajonit të Azisë-Paqësorit. Ndërtimi i Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit është një vizion madhor i integrimit ekonomik rajonal dhe është i lidhur me zhvillimin dhe begatinë afatgjatë të rajonit të Azi-Paqësorit. 10 vjet më parë, në takimin e APEC-ut në Pekin u mor një vendim historik për të filluar procesin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Azisë-Paqësorit. Sot ne do të miratojmë një dokument të ri udhëzues për ndërtimin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit, që besoj se do të sjellë një energji të re në zhvillimin e një ekonomie të hapur në rajonin e Azi-Paqësorit.

Hapja është një shenjë e qartë e modernizimit kinez. Kina këmbëngul në reformën nëpërmjet hapjes, duke u integruar aktivisht me rregullat dhe standardet e larta ekonomike e tregtare ndërkombëtare, duke zgjeruar aktivisht hapjen e pavarur dhe duke nxitur hapjen e rregullt në fushat e telekomunikacionit, internetit, arsimit, kulturës dhe mjekësisë. Kina ngul këmbë për zbatimin cilësor të marrëveshjes së Partneritetit Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal (RCEP), nxit aktivisht pjesëmarrjen në procesin e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit (CPTPP) dhe Marrëveshjes së Partneritetit të Ekonomisë Digjitale (DEPA). Kina ka nënshkruar Protokollin për Ngritjen e Nivelit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Peru, ka mbyllur në thelb bisedimet për ngritjen e nivelit të Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-ASEAN dhe është e gatshme të eksplorojë me palët e tjera marrëveshjet tregtare në sektorët digjitalë dhe të gjelbër e të vazhdojë të zgjerojë rrjetin e zonave të tregtisë së lirë me standard të lartë, të hapur për tërë botën.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Së dyti, të krijojmë energji të re për rritjen e Azi-Paqësorit. Duhet të kapim fort rastin e raundit të ri të revolucionit teknologjik dhe trasformimit industrial, të shtojmë bashkëpunimin në inteligjencën artificiale, informacionin kuantik, jetën e shëndetshme etj., të krijojmë një ekosistem inovacioni të hapur, të barabartë, të drejtë dhe jodiskriminues e të nxisim rritjen e produktivitetit të Azi-Paqësorit. Duhet të ngulim këmbë në zhvillimin ekologjik, kursimin e burimeve dhe lëshimin e ulët të karbonit, të nxisim transformimin e gjithanshëm dhe të gjelbër të zhvillimit ekonomik-shoqëror e të ndërtojmë një Azi-Paqësor të pastër dhe të bukur. Duhet të përpiqemi për nxitjen e transformimit dhe zhvillimit të koordinuar të digjitalizimit e gjelbërimit dhe të formojmë forca të reja nxitëse dhe epërsi të reja për zhvillimin e rajonit të Azi-Paqësorit.

Kina po përpiqet të krijojë forca të reja prodhuese sipas kushteve të veta të brendshme dhe të thellojë bashkëpunimin e gjelbër inovativ me të tëra palët. Kina do të shpallë “Nismën për bashkëpunim global në fluksin ndërkufitar të të dhënave” dhe është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me palët për të nxitur bashkërisht fluksin ndërkufitar të të dhënave me efektivitet, lehtësi dhe siguri. Kina do të paraqitë propozime në APEC për digjitalizimin e dokumenteve tregtare, ndërtimin e zinxhirit të gjelbër të furnizimit, dialogun e inteligjencës artificiale, digjitalizimin e sektorit ushqimor etj., për të dhënë kontribut për zhvillimin cilësor të Azi-Paqësorit.

Së treti, të konsolidojmë konceptin e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe me përfitime të përbashkëta në Azi-Paqësor. Ne duhet ta përdorim siç duhet platformën e Azi-Paqësorit, të shtojmë bashkëpunimin ekonomik e teknologjik, të shtojmë mbështetjen për ekonomitë në zhvillim dhe grupet e dobëta, të zgjerojmë dhe të ndajmë siç duhet përfitimet prej zhvillimit ekonomik dhe të ndajmë frytet e zhvillimit me më shumë ekonomi dhe më shumë popuj. Sivjet, Peruja po nxit aktivisht bashkëpunimin lidhur me kalimin nga ekonomia joformale në një ekonomi formale e globale, gjë që përshtatet mjaft me konceptin e zhvillimit të Kinës që bazohet te populli, nxit barazinë e drejtësinë shoqërore dhe rrit mirëqenien e njerëzve. Kina e mirëpret një gjë të tillë. Në APEC Kina do të nxitë nismat e tilla, si rritja e të ardhurave të banorëve, nxitja e zhvillimit grupor të ndërmarrjeve të mesme e të vogla dhe mbështetja e zhvillimit përfshirës të ekonomisë së Azi-Paqësorit.

Në vitin 2026, Kina do të jetë vendi pritës i APEC-ut dhe mirëpret thellimin e bashkëpunimit të Azi-Paqësorit me të gjitha palët dhe të krijojë përfitime për popujt e këtij rajoni.

Të dashur kolegë!

Reforma dhe Hapja është procesi historik i zhvillimit dhe përparimit të përbashkët të Kinës dhe botës. Disa muaj më parë, në plenumin e 3-të të Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, u bënë planifikime sistemore për thellimin e mëtejshëm dhe të gjithanshëm të reformave dhe nxitjen e modernizimit kinez. Në këtë plenum u paraqitën mbi 300 masa të rëndësishme reforme dhe u bë planifikim i përgjithshëm për formimin e sistemit të ekonomisë socialiste të tregut me nivel të lartë, nxitjen e zhvillimit ekonomik cilësor, zgjerimin e hapjes me nivel të lartë, përmirësimin e cilësisë së jetesës së popullit dhe ndërtimin e një Kine të bukur. Zhvillimi i Kinës do të sjellë më shumë mundësi të reja për zhvillimin e Azi-Paqësorit dhe botës.

Foto nga VCG

Kinezët e lashtë kishin një thënie: “Të përpiqesh për suksesin tënd duke ndihmuar të tjerët”. Në Amerikën Latine ka një idiomë: “Vetëm ajo që sjell përfitime për botën, mund të sjellë përfitime edhe për vendin”. Kina mirëpret të gjitha palët që të vazhdojnë “të udhëtojnë në trenin e shpejtë” të zhvillimit të Kinës, të punojnë së bashku me ekonominë kineze për zhvillimin e përbashkët dhe të punojnë së bashku për të arritur një zhvillim paqësor, bashkëpunim me dobi të ndërsjellë e begati të përbashkët për modernizimin e të gjitha vendeve në botë.

Faleminderit!

(Jiang Lei)