Ministri Vengu: Përsosje e akteve ligjore për statusin e ushtarakut
2024-11-17 13:51:01

Ministri Vengu (Foto Atsh)

Ministri Vengu (Foto Atsh)

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u takua me ushtarakët në pension, për të diskutuar mbi ruajtjen e statusit të ushtarakut përmes përsosjes së akteve ligjore dhe trajtim dinjitoz të personave që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura.

“Plani i ri i pensioneve është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare në rrugën drejt Shqipëria 2030. Bashkë me ushtarakët në pension, diskutuam problematikat që ata hasin. Synimi që kemi është trajtimi dinjitoz shoqëror, shëndetësor dhe financiar për ta. Objektivi ynë mbetet përsosja e akteve ligjore që ofrojnë garanci për statusin e ushtarakut në kuadër të trajtimit më dinjitoz të njerëzve që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura. Gjithashtu sfida e projektit të ri të pensioneve, që reflekton rritjen ekonomike, është një mision që do ta çojmë deri në fund, pasi të gjithë po ecim në të njëjtin drejtim”,- deklaroi ministri Vengu, citon “ATSH”.

Për reformën në skemën e pensioneve, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një sërë takimesh me pensionistët në qytete të ndryshme të vendit përgjatë javëve të fundit.

Pensionet, ndryshe nga pagat, varen nga kontributet në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.