BE: Reformat, pjesë kyçe e procesit të integrimit europian të Shqipërisë
2024-11-17 13:49:32

Flamujt e BE-se (Foto Atsh)

Flamujt e BE-se (Foto Atsh)

Reformat janë pjesë kyçe e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, deklaroi shefi i Sektorit Politik të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Andre Rizzo, gjatë Samitit të Qeverisjes së Hapur të Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua në Tiranë, citon “ATSH”.

“BE-ja ka qenë një mbështetje e fortë e Partneritetit të Qeverisjes së Hapur, duke njohur vlerën e tij në forcimin e qeverisjes dhe nxitjen e besimit të qytetarëve. Ne shohim gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së bashkive në zbatimin e parimeve të qeverisjes së hapur edhe në nivel lokal. Ndërmarrja e reformave të tilla janë thelb të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Andre Rizzo.

Samiti i Qeverisjes së Hapur të Ballkanit Perëndimor 2024 mblodhi së bashku liderë dhe ekspertë për të diskutuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe angazhimin qytetar.

I fokusuar në qeverisjen e hapur dhe inovacionin digjital, samiti theksoi reformat kryesore që e çojnë rajonin më afër integrimit në BE dhe fuqizimin e qytetarëve të tij. 

Sipas Rizzo, ky samit shërbeu edhe si një platformë për të ndarë sukseset, për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar lidhje më të forta në të gjithë rajoni.