Presidenti ukrainas: Biseda telefonike Putin-Scholz hapi Kutinë e Pandorës
2024-11-17 13:38:00

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se biseda telefonike midis kancelarit gjerman, Olaf Scholz, me presidentin rus, Vladimir Putin, ka hapur Kutinë e Pandorës.

Në një fjalim drejtuar kombit, presidenti Zelensky tha se kjo bisedë ka minuar përpjekjet për të izoluar liderin rus, shkruan “RTSH”.

“Tani mund të ketë edhe biseda të tjera, telefonata të tjera. Thjesht shumë fjalë. Kjo është pikërisht ajo që Putin ka dashur prej kohësh. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për të që të dobësohet izolimi i tij”,- tha presidenti ukrainas.

Pas telefonatës, Kremlini bëri të ditur se Rusia është e hapur për bisedime të reja paqeje, duke iu referuar propozimit të mëparshëm të presidentit Putin që Ukraina të dorëzonte territoret dhe të tërhiqej nga planet për t’u bashkuar me NATO-n.

Por, Zelensky tha se nuk do të ketë asnjë marrëveshje të re të Minskut, (dy marrëveshje armëpushimi/paqe që palët ranë dakord në vitet 2014 dhe përsëri në 2015), pasi Ukraina dëshiron paqe të drejtë.

Në një deklaratë, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se gjatë telefonatës kancelari Scholz dënoi agresionin rus, duke i kërkuar presidentit Putin të tërheqë trupat nga Ukraina.

“Kancelari theksoi nevojën që Rusia të jetë e gatshme të negociojë me Ukrainën për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme dhe theksoi vendosmërinë e palëkundur të Gjermanisë për të mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus, sa kohë që të jetë e nevojshme”,- tha zëdhënësi.