Ministrja Denaj: MBZHR po punon për një sistem të informacionit digjital për regjistrin e ullirit
2024-11-17 16:23:15

Foto nga VCG

Vaji i ullirit (Foto Atsh)

Vaji i ullirit është një prej produkteve të ekselencës shqiptare, deklaroi ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndërsa së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, vizituan një sipërmarrje të re në Memaliaj që merret me grumbullimin dhe përpunimin e ullirit, shkruan “ATSH”.

Ministrja Denaj tha se kjo sipërmarrje zhvillon ekonominë e zonës.

Sipas saj, sipërmarrësit kanë investuar në teknologji bashkëkohore për të garantuar një prodhim cilësor në tregun vendas, por edhe për eksport. 

Ajo theksoi se MBZHR-ja po punon për një sistem të informacionit digjital për regjistrin e ullirit, që do të identifikojë gjendjen aktuale të ullishtarisë dhe perspektivën e zhvillimit të saj.

Sipërfaqja e ullishtave në Shqipëri aktualisht vlerësohet të jetë rreth 50 mijë hektarë, ndërsa numërohen rreth 9 milionë rrënjë ullinj dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit për vaj arrin në 200.