
Zana Cela (Foto Atsh)
Transformimi i shpejtë i Shqipërisë në rrugën integruese dhe në mënyrë të veçantë ecuria shumë pozitive e sektorit të turizmit ishin në qendër të takimit që drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, zhvilloi me ambasadorin turk në Shqipëri, Tayyar Kagan Atay, shkruan “ATSH”.
Gjatë takimit, Çela paraqiti vizionin afatmesëm dhe afatgjatë të qeverisë shqiptare që shtrihet përtej rritjes së thjeshtë ekonomike, konkretisht në zhvillimin strategjik të turizmit të nivelit të lartë.
Duke pasur parasysh edhe shifrat në rritje të turistëve, ku numri vizitorëve nga Turqia i kaloi 300 mijë vetëm në vitin 2024, ambasadori Atay e përgëzoi Shqipërinë për këtë sukses të madh.
“Jemi krenarë për suksesin tuaj. Tërheqja e një numri 4 herë më të madh turistësh sesa numri i popullsisë është një sukses i madh”,- theksoi ambasadori turk.
Çela shprehu dëshirën për të konsoliduar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave mes Agjencisë Kombëtare të Turizmit me Agjencinë Turke të Promovimit dhe Zhvillimit të Turizmit.
Ambasadori Atay tregoi vullnetin e plotë për t’u angazhuar në përafrimin e modelit turk të turizmit me atë shqiptar, edhe në kuadër të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Në takim u bisedua edhe mbi kalendarin dixhital të aktiviteteve turistike dhe kulturore që aplikacioni TEA ofron për turistët.
