SELEC: Bashkëpunim rajonal kundër tregtisë së paligjshme
2024-11-17 16:17:07

Selec (Foto Atsh)

Selec (Foto Atsh)

Forcimimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e tregtisë së paligjshme ishte fokusi i Takimit të 21-të të Task Forcës kundër Mashtrimit dhe Kontrabandës të Qendrës së Europës Juglindore për Zbatimin e Ligjit (SELEC), që u organizua në Bukuresht, Rumani, kryesuar nga Dogana Shqiptare.

Gjatë takimit u diskutua për qasjet rajonale në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve doganore dhe kontrabandës, duke synuar forcimin e bashkëpunimit rajonal mes Doganës dhe Policisë, si dhe vendosjen e drejtimeve të përbashkëta që duhen ndjekur në nivel rajonal, shkruan “ATSH”.

Takimi u kryesua nga Oficeri Ndërlidhës i Doganës Shqiptare, Elton Kalemi, si koordinator i task forcës, i cili theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit për ndikim më të suksesshëm në luftën kundër mashtrimit dhe kontrabandës në rajon.

Përfaqësuesit e shteteve anëtare të SELEC paraqitën një pasqyrë të aktiviteteve dhe sfidave të vitit të kaluar në nivel kombëtar në fushën e luftimit të mashtrimeve doganore dhe kontrabandës ndërkufitare.

Gjithashtu, u diskutuan propozimet për aktivitetet e ardhshme të task forcës, duke pasur parasysh kontekstin më të gjerë të përpjekjeve kundër mashtrimit dhe kontrabandës të agjencive të tjera evropiane.

Pjesëmarrësit u mirëpritën nga Oguz Serkant Akin, drejtor i përgjithshëm dhe Romulus Ungureanu, drejtor për Operacionet, të cilët dhanë përvojat e tyre në lidhje me aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Task Forcës Antimashtrim dhe Kundër Kontrabandës SELEC.

Ata diskutuan gjithashtu për interesat dhe angazhimin e vazhdueshëm të SELEC për të siguruar një platformë të qëndrueshme dhe efikase bashkëpunimi për shtetet anëtare dhe partnerët operacionalë, si dhe me agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në mbarë botën.

Dogana Shqiptare koordinon Task Forcën kundër Mashtrimit dhe Kontrabandës të SELEC që nga themelimi i saj.