< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Greta Azizi, fituese e çmimit të dytë në Festivalin e RTK
2024-11-17 11:08:46

播放地址不存在

Këngëtarja 22 vjeçare Greta Azizi në shumicën e prezantimeve të saj skenike ka qenë finaliste. Ajo është nga Kamenica dhe muzikën e ka nisur që e vogël, ndërsa profesionalisht filloi në moshën 13 vjeçare, kur në talent show-n "Gjeniu i vogël 7-të", arriti në finale. Ajo ka kryer shkollën e mesme të muzikës në Gjilan për kanto dhe piano për të vijuar studimet për pedagogji të përgjithshme muzikore Bachelor, në  universitetin “Hasan Prishtina”. Karrierën artistike Greta e ka nisur me  pjesëmarrje në festivale, si "Flaka e Janarit", ku ka fituar  çmimin e parë, si dhe një tjetër çmim të parë në "Albanian Star". Prej dy vitesh ajo jep mësim për piano, një dashuri e saj që kur ishte 10 vjeç. Së fundi Greta mori pjesë në edicionin  e dytë të Festivalit në RTK, ku me këngën “Verës” u vlerësua me çmimin e dytë, një eksperiencë mjaft e rëndësishme për të, ku garoi krahas të rinjve edhe emrave të njohur të artit. Në intervistë për Radio Ejani, Greta Azizi tregon për këtë eksperiencë, por edhe vijimësinë e karrierës së saj artistike.

Greta Azizi pas fitores ne Festivalin e RTK (Foto personale)

Greta Azizi pas fitores ne Festivalin e RTK (Foto personale)

CMG: Si ishte për ty kjo pjesëmarrje dhe a e prisje çmimin?

Greta Azizi: Kjo pjesëmarrje për mua ka qenë madhështore. Ka qenë një organizim i veçantë, shumë i madh si organizim. Me thënë të drejtën synimi ka qenë për të marrë pjesë në finale, por kur shkova në finale u shtua dëshira për të marrë edhe çmim, po tregohem shumë e sinqertë.

CMG: Ishe shumë afër çmimit të parë. Çfarë po mendoje në ato momente, e prisje që të ishe fituesja e çmimit të parë?

Greta Azizi: Po, kam qenë shumë afër çmimit të parë dhe në ato momente nuk po e  besoja. Po mendoja që më në fund kam arritur tek tri finalistët, isha shumë në dilemë, nuk dija se çfarë të mendoja më parë.

Greta Azizi (Foto personale)

Greta Azizi (Foto personale)

CMG: Na trego për këngën "Verës", si erdhi realizimi i saj?

Greta Azizi: Kënga “Verës” është realizuar nga kompozitori Valon Gashi, i cili më pyeti nëse doja që të merrja pjesë në festivalin e këngës. E pranova ftesën dhe realizuam këngën me tekst nga Ardiana Gashi.

CMG: Për çfarë flet kjo këngë?

Greta Azizi: Kjo këngë flet për tradhëtinë, gjë të cilën nuk e kam përjetuar, por e kam ndjerë shumë si këngë sepse është mjaft emocionuese dhe shumë e vështirë për t’u kënduar. Besoj se ja kam arritur qëllimit.

CMG: Ti ke qenë fituese e një çmimi të parë në “Fest Flaka” dhe në festivale të tjera. Kur fiton disa çmime në një moshë kaq të re, në të ardhmen cili është synimi yt për të arritur?

Greta Azizi: Në “Fest Flaka” kam marrë pjesë katër herë, por tri herë kam marrë çmime. Ka qenë një eksperiencë shumë  e mirë. Një gjë që më pëlqen tek vetja është se kur dua të arrij diçka, ia dal, deri sa mora çmimin e parë.

Greta Azizi (Foto personale)

Greta Azizi (Foto personale)

CMG: Edhe motra jote është  këngëtare. Si është të bësh art brenda një familje?

Greta Azizi: Në shtëpinë tonë unë dhe motra ime këndojmë, ndërsa babi është  inxhinier i elektros dhe mami është biologe, që nuk lidhen me ne të dyja fare, por është interesante.

CMG: Ke menduar për bashkëpunime?

Greta Azizi: Bashkëpunime kam dëshirë të bëj, pse jo me emra të njohur si Alban Skënderaj, por edhe me artistë ndërkombëtarë.

CMG: Prej sa vitesh këndon dhe luan në piano? 

Greta Azizi: Unë këndoj që kur kam qenë shumë e vogël, por në moshën 13 vjeçare nisa që të merrem profesionalisht. Ndërsa pianon kam filluar që e vogël, kur motra ime studionte për muzikë, mund të kem qenë rreth 10 vjeç. 

Greta Azizi duke luajtur ne piano (Foto nga instagrami)

Greta Azizi duke luajtur ne piano (Foto nga instagrami)


CMG: Cila  është më e dashur për ty, kënga apo pianoja?

Greta Azizi: Më e dashur për mua është kënga. Kur këndoj ndjehem më e lirshme. Edhe pianon e dua shumë, por kur këndoj ndjehem më vetvetja.

CMG: Greta, ti  jep mësim në piano, si eshtë marrëdhënia me fëmijët?

Greta Azizi: Jap mësim për fëmijët piano dhe marrëdhënia me ta është shumë e mirë. Ata më falin shumë energji të mirë. Kur nisem në mëngjes pa energji nga shtëpia dhe pa motiv, kur jap mësim, më duket sikur ata më shtojnë gëzimin dhe vetëbesimin sepse ata presin prej meje të mësojnë, është një gjë shumë bukur.

CMG: Si e sheh të ardhmen tënde, të përkushtuar më tepër me mësimdhënie, interpretimet live, apo në skenat ndërkombëtare?

Greta Azizi: Mësimdhënien e bëj për kënaqësi sepse përmbushem, ndërsa kur këndoj e gjej veten. Interpretimet live nuk dua t’i ndaloj sepse aty e shfaq veten më shumë. Jam kundër këndimit playback, nuk i kuptoj ata këngëtarë që këndojnë ashtu sepse më duket një gjë shumë e shtirur. Unë nuk preferoj të këndoj në koncerte me play back dhe nuk e di se ku e ndjejnë këngëtarët atë kënaqësi. Skenat ndërkombëtare patjetër që i synoj, është mjaft e vështirë për të mbërritur aty, por duhet kohë, durim dhe shumë punë.

Greta Azizi ne skene (Foto personale)

Greta Azizi ne skene (Foto personale)

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?

Greta Azizi: Në të ardhmen mendoj se do të bëj diçka. Plane nuk kam dëshirë të bëj sepse nuk më realizohen, por e shoh veten më vonë diku, presim dhe ndërkohë punojmë fort. Për të ardhmen, synimi im është për të bërë këngët e mia, që çdokush që i dëgjon këngën t’i njohë që janë këngët e Gretës. Dua të jem unike dhe të dallohem prej të gjithëve. Jam në një fazë që nuk e di se çfarë dua në të vërtetë, a dua të merrem me festivalet, a dua të bëj këngë të miat, varet çdo gjë prej mundësive. Jam e lumtur me këto që kam, por gjithmonë synoj për më tepër. Ky festival i fundit edhe pse më vlerësoi me çmimin e dytë, më ka bërë të mendoj se duhet të punoj fort. Më ka motivuar shumë dhe mezi po pres që të bëj projekte të reja.

CMG: Çfarë do thoje për dëgjuesit e Radio Ejani?

Greta Azizi: Ju falenderoj shumë për intervistën dhe dëgjuesve të Radio Ejani, u them, dëgjim të këndshëm të këngës time më të re dhe i përshëndes shumë.

Intervistoi: Sava Lena

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree