Peru, Xi Jinping-u takohet me presidentin amerikan
2024-11-17 06:47:24


Të shtunën pasdite, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping pati një takim me presidentin e ShBA-së Joe Biden në Lima të Perusë.

 

Xi shprehu kënaqësinë që takohej sërish me presidentin Biden. “Gjatë katër vjetëve të fundit, marrëdhëniet Kinë-ShBA kanë pasur luhatje, por nën drejtimin tonë, të dy vendet kanë zhvilluar dialog e bashkëpunim efektiv dhe kanë arritur qëndrueshmëri në përgjithësi,” i tha Xi homologut amerikan.

 

Kreu i shtetit kinez vuri në dukje që procesi i zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane ka dëshmuar që, nëse të dy vendet janë partnerë e miq, kërkojnë të përbashkëtat dhe lënë mënjanë dallimet, duke mbështetur njëri-tjetrin, marrëdhëniet Kinë-ShBA mund të kenë zhvillim të vazhdueshëm. Por nëse të dy vendet e trajtojnë njëri-tjetrin si kundërshtar ose armik, bëjnë konkurrencë të ashpër dhe e dëmtojnë njëri-tjetrin, atëherë marrëdhëniet mes tyre përballen me zigzage, madje ecin mbrapsht.

 

“Në botën e sotme të trazuar, konfliktet ndodhin shpesh dhe problemet e vjetra e të reja janë ndërthurur. Njerëzimi po përballon sfida të papara. Konkurrimi mes fuqive të mëdha nuk duhet të jetë elementi bazë i kohës dhe vetëm me bashkim e koordinim mund të kapërcejmë bashkë vështirësitë,” u shpreh Xi. Sipas tij, një raund i ri i revolucionit teknologjik dhe transformimi industrial janë në zhvillim të plotë dhe "shkëputja" nuk është zgjidhja. Vetëm bashkëpunimi me përfitim të përbashkët mund të sjellë zhvillim të përbashkët. Krijimi i “oborreve të vogla me mure të larta” nuk është veprimi i një fuqie të madhe dhe vetëm hapja e ndarja e përbashkët mund të sjellin përfitime për njerëzimin. Kina dhe ShBA-ja janë dy fuqi të mëdha dhe duhet të mendojnë për interesat e botës, duke i dhënë më shumë qëndrueshmëri dhe energji pozitive botës së tanishme të trazuar.

 

“Unë jam gjithmonë i mendimit që, si marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe, zhvillimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve kino-amerikane ka lidhje me fatin e të dy popujve, si edhe të njerëzimit. Kina dhe ShBA-ja duhet të nisen nga mirëqenia e të dy popujve dhe interesat e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar, të bëjnë zgjedhje të drejtë, të vazhdojnë të eksplorojnë rrugën e duhur për të dy palët dhe të realizojnë bashkekzistencën paqësore afatgjatë të Kinës dhe ShBA-së në këtë planet,” theksoi ai.

 

Në ShBA sapo janë zhvilluar zgjedhjet presidenciale. Objektivi i Kinës për zhvillim të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të vazhdueshëm nuk ka ndryshuar, parimi i Kinës për respekt të ndërsjellë, bashkekzistencë paqësore, bashkëpunim e përfitime të përbashkëta nuk ka ndryshuar, qëndrimi i Kinës për ruajtjen e sovranitetit, sigurisë e interesave të zhvillimit nuk ka ndryshuar dhe dëshira e Kinës për vazhdimin e miqësisë tradicionale nuk ka ndryshuar. Kina është e gatshme që, bashkë me qeverinë amerikane, të vazhdojnë dialogun, të zgjerojnë bashkëpunimin, të menaxhojnë mosmarrëveshjet e të përpiqen për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-ShBA, duke u sjellë përfitime të dy popujve. (Jiang Lei)